“Pritet bum ndërtimesh”- Gazetari: Në Vlorë mund të shkojë 10 mijë euro metri katror

Nga A2 CNN
19 Korrik 2025, 23:16 | Aktualitet

Gazetari Elkier Bushkola është shprehur se në Vlorë pritet të ketë një bum ndërtimesh gjatë kësaj periudhe.

Komentet Bushkola i bëri në emisionin ‘Off the Record’ me gazetarin Andrea Danglli në A2 CNN, ku tha se metri katror i ndërtimeve mund të shkojë në 10 mijë euro.

Ai tha gjithashtu se konfliktet që ndodhën në Bashkinë e Vlorës, ndodhën për shkak të këtyre zhvillimeve që priten, me qëllim që kryeministri Rama ta marrë në kontroll të plotë këtë bashki dhe të mos ketë asnjë kundërshti.

“Shembulli konkret është Vlora. Nuk kemi një kryebashkiak politikisht të fortë, kur kujtojmë se në krye të Bashkisë kemi pasur Shpëtim Gjikën, që në 2007 ka fituar beteja shumë të forta elektorale kur PD ishte në Zenitin e saj. Sot kemi Ermal Dredhën. Vlora pritet të ketë një bum të madh ndërtimesh për shkak të zhvillimeve në ishullin e Sazanit.

Nuk do ishte çudi që metri katror të shkojë deri në 10 mijë euro për shumë faktorë. Ndër të tjera mbi të gjitha se ti je në treg ndërkombëtar. Po flasim për vijë bregdetare, sepse vija bregdetare është në treg ndërkombëtar.

Sepse nis në Kroaci, në Mal të Zi dhe unë besoj se do ketë një zhvillim shumë të madh. Dhe unë besoj se të gjitha këto konflikte që ndodhin në Bashkinë e Vlorës ndodhin për këtë fakt, për ta marrë në menaxhim bashkinë e Vlorës, që të mos ketë asnjë lloj kundërshtie për çdo vendim që do merret”, tha mes të tjerash Bushkola.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos