Nga 900 në 500 milionë, bonusi i bebes po tkurret bashkë me lindshmërinë

Nga Marjo Brakaj
21 Korrik 2025, 17:14 | Aktualitet

Bonusi i bebes po tkurret bashkë me lindshmërinë. Nga miliona që jepeshin dikur, këtë vit janë shpërndarë më pak se gjysma. Familjet që jetojnë jashtë nuk përfitojnë më.

Në Shqipëri po jepen më pak bonuse për bebet. Rënia e lindshmërisë nga njëra anë dhe heqja e tij për familjet që jetojnë jashtë Shqipërisë janë arsyet. Nga 900 milionë lekë në janar-qershor 2024, në gjysmën e parë të këtij viti u dhanë vetëm 500 milionë lekë për fëmijët e sapolindur.

Nga 900 në 500 milionë, bonusi i bebes po tkurret bashkë me

Një simbolikë e fortë shtetërore për të nderuar jetën e re. Por sot, bonusit të bebes po i bien si numrat, ashtu edhe kuptimi.

“Bonusi i bebes nuk është thjesht ndihmë ekonomike, është një gjest social që lidhet me vlerësimin e jetës. Ulja e tij është një reflektim direkt i krizës demografike që po kalon Shqipëria”, thotë sociologu Tushe.

Edhe fondet e planifikuara nuk janë shpenzuar plotësisht. Nga 571 milionë lekë të përllogaritura për bonusin, janë shpërndarë rreth 500 milionë, ose 71 milionë lekë më pak – një diferencë që përkon me lindje që nuk ndodhën kurrë.

Nga 900 në 500 milionë, bonusi i bebes po tkurret bashkë me

“Ka një ndryshim të dukshëm mes politikës që nxit lindshmërinë dhe realitetit që po na përball me një shoqëri që po plaket. Kur shteti nuk u flet më me bonuse prindërve jashtë vendit, është një sinjal që politika sociale po bëhet gjithnjë më e ngushtë dhe selektive”, thekson për A2 CNN sociologu Gëzim Tushe.

Në një kohë kur fëmijët në lagje po bëhen përherë e më të rrallë, edhe “bonusit të bebes” po i bie pesha nga mungesa e vetë të porsalindurve. Nga një politikë bujare që u trumbetua si nxitje për të ringjallur lindjet, sot “bonusi i bebes” po kthehet në një zë buxhetor gjithnjë e më të vogël. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos