Ndarja nga jeta e ish-kryeministrit Fatos Nano, ka sjellë reagime të shumta nga politika shqiptare si majtas dhe djathtas.
Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, në një mesazh në rrjetet sociale ka shprehur ngushëllimet e tij për ndarjen nga jeta të ish-Kryeministrit të Shqipërisë, Fatos Nano.
Ai vlerësoi rolin e liderit socialist Fatos Nano përgjatë tranzicionit të vendit, si dhe politikat reformiste e liberale që ai ndoqi përgjatë aktivizimit në politikën shqiptare.
“Me hidhërim të thellë mësova ndarjen nga jeta të Fatos Nanos, liderit socialist dhe të tranzicionit të Shqipërisë në vitet ‘90 dhe 2000. Fatos Nano do të mbahet mend si lideri liberal dhe reformator. Ngushëllimet i shkojnë familjes, si dhe miqve e dashamirësve të shumtë të tij. I paharruar!”, shkroi Presidenti i Republikës në mesazhin e ngushëllimit.
Edhe kreu i grupit parlamentar socialist Taulant Balla ka shprehur ngushëllimet për ndarjen nga jeta të ish-kryetari socialist Fatos Nano. Në mesazhin e tij ai vlerëson kontributin e ish-liderit të tij dhe thekson se Nano modernizoi Shqipërinë, duke modernizuar partinë.
“Sot e humbëm Kryetarin Nano. Do ta kujtojmë gjithmonë udhëheqësin e parë të Partisë Socialiste Fatos Nano për kontributin vendimtar në 14 vite me radhë kur Partia Socialiste nuk lëvizi asnjë moment nga graviteti i interesit kombëtar, çka u skalit si një vijë sjelljeje e palëkundur e partisë sonë, duke e bërë unikale mes partive politike në Shqipëri. Fatos Nano modernizoi Shqipërinë, duke modernizuar partinë. Faleminderit për mundësinë që më dhe të mësoj shumë prej teje U prehsh në paqe shef”, shkruan Balla.
Për deputetin Erion Braçe, Fatos Nano është njeriu që ribëri të majtën shqiptare.
“Fatos Nano, njeriu që ribëri të majtën shqiptare, u shua sapo! Pusho në paqe dhe faleminderit për gjithçka!”, shkruan Braçe.
Nga radhët e demokratëve ka qenë deputeti Tritan Shehu, i cili përmes një mesazhi në rrjete sociale ka shprehur ngushëllimet për ndarjen nga jeta të ish-kryesocialistit.
“Ngushëllimet më të sinqerta për humbjen e Z. Fatos Nano! Një humbje për familjen socialiste. Një humbje për politikën shqiptare. Ngushëllime familjes së tij, që e ndjen e përjeton më shumë se gjithë se kush këtë humbje. Bashkëpuntorëve në vite. Miqve e shokëve. Ngushëllime!”, shprehet Shehu.
Edhe për kreun e Partisë Agrare Ambientaliste Fatos Nano është njeriu që lënë gjurmë të thella, që nuk dinte të hakmerrej por të falte.
“Njeriu në jetë njeh shumë njerëz, por jo të gjithë lënë gjurmë të thella si nëna, babai e familja. Një njeri që unë nuk do ta harroj kurrë ishte Fatos Nano. Një njeri me një zgjuarsi të lindur, por edhe i thellë në dituri. Ai udhëhiqej nga dashuria për njerëzit. Nuk dinte të hakmerrej, por dinte të falte. Shqiptarët ishin me fat që patën në një epokë të vështirë një njeri tolerant, social-liberal dhe të ditur si ai. U prehsh në paqe, miku im. Qofsh i parajsës!” shkruan Duka. (A2 Televizion)
 
                                           
						                    
						                    
						                    
						                    
						                    
						                    
						                    
						                    
						                   
 
						                    
						                    
						                   