Nis programi i depistimit të skoliozës në shkolla, ministrja Koçiu: Do të trajnohen 200 mësues fizkulture

Nga A2 CNN
10 Shtator 2024, 13:09 | Aktualitet

Nis programi i depistimit të skoliozës në shkolla, ministrja

Ka nisur nga shkolla "Mihal Grameno" në Tiranë Programi Kombëtar i Depistimit të Skoliozës te fëmijët në moshë shkollore 6 deri 14 vjeç. Kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu kanë vizituar nga afër këtë shkollë, e cila është përfituese e programeve të kujdesit shëndetësor, me 850 nxënës dhe me 1400 depistime në një vit.

“Depistimi i Skoliozës ka të bëjë pikërisht me diagnostikimin e hershëm të fëmijëve që kanë problematika me skoliozën, duke nisur nga mosha 6 vjeç deri në 14 vjeç. Nga këshillat e mjekëve nëse kapet herët edhe mundësitë për të rehabilituar dhe rikuperuar janë shumë të shpejta”, citon A2 ministren Koçiu.

Sipas saj do të trajnohen 200 mësues fizkulture për të evidentuar nxënësit që kanë nevojë për ndihmë të specializuar.

“Së bashku me programin “Save the children” jemi duke bashkëpunuar për të trajtuar 200 mësues fizkulture, të cilët do të kenë mundësi që nëpërmjet vlerësimeve që i bëjnë nxënësve të evidentojnë kush janë ata fëmijët që kanë nevojë për ndërhyrje më të specializuar pastaj tek mjek fizioterapie apo ortoped”.

Ndërkohë, ministrja njoftoi se “ka dhe një faqe ëebsite të dedikuar për mënyrën e ushqyerjes së shëndetshme, për stilin e shëndetshëm të jetesës. Mësuesit e fizkulturës kanë një rol kyç në këtë pikë. Janë 200 mësues fizkulture që do trajnohen dhe do të kenë mundësi më pas të fillojnë vlerësimet e fëmijëve që është e domosdoshmëri për t’i kapur sa më herët, gjithë problematikat që mund të vijnë si pasojë e të qëndruarit jo mirë në bankë, çantës së shkollës që mbahet me një peshë të konsiderueshme”.

Depistimi i skoliozës i shtohet në këtë shkollë kabinetit të mjekëve, kabineti të depistimit të shikimit, si dhe kabinetit dentar.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos