Nisin konsultimet për Kodin e ri Penal, Manja: Kemi mbajtur shënim të gjitha shqetësimet, do të rishikohen 6 direktivat e Kodit ekzistues

Nga A2 CNN
4 Shtator 2025, 11:36 | Aktualitet

Nisin konsultimet për Kodin e ri Penal, Manja: Kemi mbajtur shënim

Ministria e Drejtësisë ka organizuar sot një tryezë diskutimi lidhur me konsultimet publike për Kodin e ri Penal. Gjatë fjalës së tij, ministri Ulsi Manja tha se janë mbajtur shënim kritikat dhe sugjerimet, por sipas tij, zyrtarisht kanë marrë një numër të vogël komentesh dhe vetëm disa organizata të shoqërisë civile kanë kërkuar të jenë pjesë e procesit të konsultimit publik.

"Na jepni mundësinë që edhe njëherë të informojmë dhe qartësojmë opinionin publik por cilido individ, grup interesi apo aktor që janë të interesuar për të qenë pjesë aktive e diskutimit dhe pjesëmarrjes në konsultimin e gjerë publik që do t’i nënshtrohet drafti i ri. Në 25 korrik prezantuam draftin e kodit të ri, por gjatë kësaj periudhe, ka pasur mjaft komente, analiza dhe debate e diskutime, por edhe shqetësime për aspekte të veçanta teknike të vetë draftit por edhe procesit të ndjekur për hartimin e kodit të ri penal dhe rolin e ministrisë së drejtësisë. Kemi mbajtur shënim komentet e analizat, sugjerimet e shqetësimet por nga momenti i publikimit të draftit në uebin e ministrisë dhe dhënies së linkut të sekretariatit, deri tani kanë ardhur një numër i vogël komentesh dhe disa organizata të shoqërisë civile kanë kërkuar të jenë pjesë e procesit të konsultimit publik”.

Ministri sqaroi se roli i tij ka qenë vetëm ai i porositësit, pasi është grupi i ekspertëve ai që e ka hartuar.

“E menduam këtë tryezë sot për të dhënë disa përgjigje në lidhje me procesin, rolin e ministrisë dhe aspekte të veçanta teknike të draftit të ri. Më duhet të them që roli i ministrisë së drejtësisë në këtë proces është ai i porositësit të draftit të kodit të ri penal. Pra, jemi ne ministria e Drejtësisë, në emër të qeverisë, që e kemi porositur këtë draft të Kodit të ri edhe si përmbushje e detyrimeve tona në kuadrin e strategjisë së drejtësisë por edhe të negociatave me BE-në. Në procesin e hartimit apo draftimit të ligjeve, ka dy rrugë ose nëpërmjet drejtorisë së legjislacionit në ministri ose nëpërmjet grupit të ekspertëve të fushës. Kemi zgjedhur këtë të dytën edhe për shkak të rëndësisë që ka hartimi i një kodi të ri në jetën politike, juridike dhe ekonomike të vendit”, u shpreh ministri.

Ministri i Drejtësisë theksoi se do të rishikohen 6 direktiva që kanë të bëjnë me terrorizmin, pastrimin e parave, trafikun e drogave, armët, abuzimin seksual ndaj fëmijëve apo shpifjen. Sipas tij kjo është një detyrim që kërkohet nga BE në kuadër të negociatave dhe afat kohor është vendosur fundi i tetorit.

“Lidhur me plotësimin e piketave të ndërmjetme në kuadrin e negociatave për grup themelorët, Shqipërisë i kërkohet që brenda Tetorit të reflektojë në Kodin Penal ekzistues rreth 6 direktiva që kanë të bëjnë me  veprat penale të pastrimit të parave dhe terrorizmin, rishikimin e kuadrit ligjor me veprat e terrorizmit, rishikimin e kuadrit për trafikun e drogave, për viktimat e trafikimit të qenieve njerëzore, me abuzimi seksual të fëmijëve dhe pornografisë së fëmijëve, rishikimin e kuadrit ligjor lidhur me armët, dhe me shpifjen”.

Ai theksoi se “ky proces do të jetë i ndarë me procesin e konsultimit publik që do të zhvillohet për draftin e ri. Edhe pse të gjitha këto direktiva janë të reflektuara në draftin e ri, por duke qenë se në kuadrin e përmbushjes së piketave të ndërmjetme për negociatat me BE, kemi afat kohor që është fundi të tetorit, për këtë grup veprash konsultimi publik do të zhvillohet ndarasi në lidhje me konsultimin për draftin. Këto ndryshime do të reflektohen në kodin penal aktual, dhe do të jenë pjesë e draftit të ri kur të jetë në agjendë parlamentare”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos