Kryeministri Edi Rama ka uruar të gjithë nxënësit që nisin këtë vit të ri shkollor. Në një postim në rrjetet sociale, ai u uron suksese dhe nxënësve që ulen për herë të parë bankat e shkollës.
“Mirëmëngjes dhe duke ju uruar suksese 345 mijë nxënësve që ulen sot në bankat e shkollave, dhe ata 26,500 nxënës të klasave të para, që nisin sot rrugën e bukur të dijes, ju uroj një javë të mbarë!”, shkruan Rama.
Rreth 345 mijë nxënës, 31 mijë mësues nisin vitin e ri shkollor 2025-2026. Në bankat e shkollës do të ulen për herë të parë 26 500 nxënës, një numër në ulje ky krahasuar me një vit më parë ku më klasën e parë u regjistruan 28 mijë nxënës.
Për 236 mijë nxënës tekstet janë falas. Këtë vit janë 30 shkolla të reja dhe të rehabilituara, 340 laboratorë smart dhe kurrikulë e re në klasat e IV, si edhe do të rritet numri i oficerëve të sigurisë dhe punonjësve socialë në shkollë me qëllim mbrojtjen e fëmijëve.
Transporti falas do të ofrohet për 38 mijë nxënës dhe 12 mijë mësues. Po ashtu, janë të disponueshme 3,500 bursa për nxënësit që kanë nevojë për mbështetje financiare.
Ministria e Arsimit ka njoftuar se këtë vit është përforcuar mbështetja për nxënësit me aftësi të kufizuara, me 2,260 mësues ndihmës, 150 më shumë krahasuar me vitin e kaluar.
Kujtojmë që ky vit i ri shkollor nis me rënie të theksuar të numrit të nxënëseve në qarqet kryesore të vendit, Korçë, Gjirokastër dhe Shkodër, ku shumë shkolla rrezikojnë të mbyllen. (A2 Televizion)