Të rinjtë po i largohen modelit tradicional të punësimit dhe po i afrohen formave të reja si: puna online, remote dhe freelancing. Nga zyra te laptopi, nga oraret fikse te fleksibiliteti, ky model i ri pune po kthehet në realitetin e ri të një brezi që kërkon më shumë liri dhe mundësi
“U bënë rreth 5 vite që punoj remote për një kompani të huaj”, tha për A2 CNN, Klevis Bedaj.
“Punoj si zhvillues softueri …kam zgjedhur të kaloj si freelancer”, tha për A2 CNN, Erik Karaj.
Eriku dhe Klevisi janë shembulli i dy të rinjve që përkundrejt zyrës dhe orarit fiks kanë zgjedhur të punojnë larg formaliteteve dhe të pavarur.
“Përfiton mundësinë të jesh më I pavarur dhe je më në kontroll të ekonomisë tënde personale. Ti nuk je më në atë orarin 9 me 5, nuk ke më atë sikletin që në qoftë se ke një diçka personale, një vizitë mjekësore, duhet të marrësh leje, të njoftosh shefin, të dërgosh një e-mail”, shtoi Klevis Bedaj.
“Punoj nga Gjirokastra që është edhe qyteti im i lindjes, për shkak se Tirana tani është bërë shumë e shtrenjtë”, zbuloi Erik Karaj.
“Përveç faktit që ti zgjedh oraret e tua, mund të vazhdosh dhe të jesh më produktiv, kurse në një ambient zyre, je i detyruar pak nga ai orari i rregullt, që do të vish më 9, por ke një mbledhje, por pastaj është pushimi, do shkëputesh, pastaj do kthehesh prape, pastaj mbaron në orën 6 Por megjithatë ka edhe sfida”, nënvizoi Bedaj.
“Pjesa e socializimit me kolegët. Të gjesh gjithmonë klientë, të gjesh një punë, të jesh gjithë kohës i angazhuar… Nuk është se ndan ngarkesën në një vështirësi me kolegët”, shtoi Karaj.
Prindërit, të mësuar me punën tradicionale, jo gjithnjë i kanë kuptuar.
“Për Familjen, të mësuar gjithmonë me punën tradicionale, sigurisht që fillimi ishte hera –herës për ta, edhe qesharake, sepse thoshin çfarë është kjo punë ku eprori yt nuk është aty për të të kontrolluar”, tha më tej Klevis Bedaj.
Përballë vështirësive për tu përshtatur me tregun e punës apo aplikimeve shpesh pa përgjigje, puna online po shihet si “shpëtim” për brezin e ri të rinjve të rritur me teknologjinë, të cilët duan fleksibilitet dhe pavarësi.
“Janë kategori që nuk përshtaten me orarin 9 me 5. Ata preferojnë që të jenë shumë fleksibël, mundësisht të punojnë nga shtëpia. Punën ata e shohin si një qëllim që i plotëson dhe i përmbush. Po të flasim pastaj për balancën punë-jetë ata nuk bëjnë kompromise”, tha për A2 CNN, ekspertja e punësimit Eljana Mete.
Por punëdhënësit shpesh kërkojnë përshtatje me sistemin tradicional dhe kjo krijon përplasje.
“Një punëdhënës duhet të dijë dhe të jetë mjaft inteligjent për të marrë më të mirën prej tyre dhe nuk mund ti detyrojnë të vijnë në punë për një projekt që mund të punohet nga shtëpia”, shtoi ekspertja Mete.
Të dhënat e fundit nga INSTAT, tregojnë se 19.1 % e moshave 15 deri 29 vjeç ende nuk e kanë gjetur veten në tregun e punës, e në një situatë të tillë dhe me emigrimin të kthyer si trend, puna online vlen për tu mbështetur, si një nga alternativat, që mund të mbajë të rinjtë, larg dëshirës për tu larguar nga Shqipëria. (A2 Televizion)