Paralizohet qarkullimi i mjeteve në juglindje, Prokuroria e Elbasanit nis hetim për dëmtimin e aksit Librazhd-Pogradec

Nga Igli Çelmeta
22 Shkurt 2026, 14:34 | Kronikë

Paralizohet qarkullimi i mjeteve në juglindje, Prokuroria e Elbasanit nis

Prokuroria e Elbasanit ka nisur me iniciativë hetimet për dëmtimet që kanë sjellë bllokimin e qarkullimit në aksin rrugor Librazhd-Pogradec. Hetimet nga prokuroria e Elbasanit kanë nisur për veprat penale “Shpërdorim i detyrës”, “Shkatërrimi i rrugës”, “Ndotja e ajrit, ujit apo tokës”.  

Autoriteti Rrugor Shqiptar bllokoi tërësisht qarkullimin në këtë aks, jo vetëm për automjetet, por edhe për këmbësorët për shkak të dëmtimeve të rënda që pësoi rruga Librazhd-Pogradec. Prej më shumë se 24 orësh, lidhja e vetme nga Tirana drejt Korçës është përmes aksit Maliq–Moglicë–Gramsh, një rruge që kalohet me vështirësi për shkak të infrastrukturës së amortizuar.

Prej dy ditësh qarkullimi kryhej me vështirësi në një korsi, ndërsa sot u mbyll plotësisht pasi situata u përkeqësua, me zhvendosje të trupit të rrugës ARRSH njofton për drejtuesit e mjeteve, se duhet të përdorin rrugët Maliq – Lozhan – Strelc – Gramsh – Elbasan dhe Qafthanë – Pogradec – Korçë – Leskovik – Përmet – Tepelenë, ndërsa drejtuesit e mjeteve të tonazhit të rëndë, duhet të përdorin rrugët në Pikën doganore Qafë Thanë – Maqedoni dhe Pikë doganore të Bllatës – Rruga e Arbërit.

Edhe ditën e sotme drejtuesit e mjeteve kanë qenë të detyruar të përdorin rrugën alternativë, Maliq - Lozhan - Moglicë - Gramsh për të shkuar drejt Elbasanit dhe kryeqytetit. Në dalje të qytetit të Maliqit, policia e qarkullimit rrugor dhe ajo e rendit nuk kanë lejuar të qarkullojnë në këtë aks nacional mjetet e tonazheve të rënda ndërkohë që kanë lejuar fugonat e transportit publik.

Një natë më parë për shkak se janë lejuar të qarkullojnë në këtë rrugë tejet të vështirë mjetet e tonazheve të rënda, vargu i mjeteve ka shkuar deri në 7 kilometra dhe kanë pritur më shumë se 3 orë për të vijuar normalisht qarkullimin. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos