
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjitikës, Belinda Balluku, ka bërë të ditur se për shkak të motit të keq, 2 avionë që duhet të uleshin në Aeroportin e Rinasit, kanë devijuar drejt Barit.
Komentet Balluku i bëri përmes një postimi në faqen e saj në Facebook, ku shtoi se kjo ka ndodhur për shkak të pamundësisë për të vijuar uljen në mënyrë të sigurt.
Po ashtu Balluku informon se edhe ditën e sotme, për shkak të motit të keq, mund të ketë vonesa në disa fluturime, shkruan A2 CNN.
Sipas ministres, Albcontrol po e ndjek situatën nga afër për të garantuar ofrimin e sigurt të shërbimeve të ‘lundrimit’ ajror.
Njoftimi i Ballukut:
Gjatë 24 orëve të fundit, për shkak të fenomeneve meteorologjike mbi dhe në afërsi të Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës, dy nga fluturimet në ardhje të datës 5, në orët e mbrëmjes, kanë devijuar drejt Barit, për shkak të pamundësisë për të vijuar uljen në mënyrë të sigurt.
Edhe gjatë ditës së sotme kanë pasur fenomene meteorologjike të lokalizuara në zona në afërsi të aeroportit. Stafet e Albcontrol kanë akomoduar të gjitha kërkesat e pilotëve për të shmangur këto fenomene gjatë fazave të fluturimit. Për shkak të këtyre devijimeve të shkaktuara nga kushtet e motit, mund të ketë vonesa në fluturimet e sotme.
Albcontrol po e ndjek situatën nga afër për të garantuar ofrimin e sigurt të shërbimeve të lundrimit ajror. (A2 Televizion)