
Gjatë 24 orëve të fundit në qarkun e Korçës ka pasur problematika në disa prej akseve nacionale për shkak të reshjeve. Përgjegjësi i sektorit të qarkullimit në drejtorinë vendore të policisë së Korçës Klement Pikuli tha se për shkak të shkarjeve të dherave dhe inerteve ka patur probleme në akset Ersekë - Leskovik, Qafë Plloçë - Qukës e Maliq – Lozhan, por me ndërhyrjen e firmave nënkontraktore situata është normalizuar.
“Gjatë 48 orëve të fundit janë marrë masa me shërbime të shtuara me qëllim evidentimin e problematikave, identifikimin e segmenteve ku ka pasur probleme dhe zgjidhjen e tyre po ashtu dhe orientimin e qyetarëve. Probleme ka pasur në Ersekë-Leskovik në vendin e quajtur gropat e gëlqeres ku ka pasur inerte ne rrugë, është ndërhyrë nga shërbimet e emergjencës dhe rruga është rikthyer për qarkullim, Qafë Plloçë – Qukës ku për shkak të reshjeve ka patur rrëshqitje të dherave, por është ndërhyrë dhe qarkullimi vijon normalisht. Probleme ka pasur edhe në aksin rrugor Maliq-Lozhan, ku ka patur shkarje të skarpatës dhe bllokim të aksit. Është ndërhyrë dhe është pastruar dhe qarkullimi vijon normalisht”, tha Pikuli, raporton A2 CNN.
Sipas Pikulit probleme ka patur edhe në akset jo nacionale ku më e rëndë situata paraqitet në Devoll, ku kemi dalje nga funksioni të urës.
“Probleme në rrugët lokale në Devoll që lidh fshatin Çetë me Mirasin dhe Arrësin me Qendrën Administrative. Në të dy rastet kemi dëmtime të këmbëve të urave dhe janë bërë të paqarkullueshme për automjetet por merren masa për zgjidhjen e këtij problemi”.
Problematika të vogla ka patur edhe në akset e zonave malore.
(A2 Televizion)
