
Prurjet në lumin Vjosë kanë arritur mëngjesin e kësaj të enjteje në nivelin maksimal të mundshëm.
Vjosa ka dalë në pjesën e pazarit të Mifolit. Ka një tendencë të prurjeve në rritje teksa rreziku është i madh që tokat bujqësore të përmbyten.
Situata në Vjosë paraqitet e vështirë për shkak se lumi ka arritur në nivelin maksimal dhe rrezikon të përmbysë dhe banesa të tjera.
Deri tani raportohen të jenë përmbytur tre banesa, shkruan A2.
Uji ka vërshuar në drejtim të oborreve të tyre duke i izoluar. Banorët e atyre shtëpive janë evakuuar. Situata po mbahet në monitorim të vazhdueshëm pasi tendenca e prurjeve është në rritje.
Ndërkohë, në njësinë administrative Novoselë, pranë bregut të lumit Vjosë, vijon puna për përforcimin e argjinaturës së lumit. Po mbushet një pjesë e argjinaturës me dhe, gurë për të parandaluar daljen e lumit nga shtrati.
Puna po vijon edhe mëngjesin e kësaj të enjteje dhe ka vazhduar përgjatë orëve të mbrëmjes dhe mëngjesit.
Ndërkohë banorët e zonës shprehen se situata është kritike. Sipas tyre, Vjosa rrezikon të dalë nga shtrati. Ata kanë frikë dhe për banesat e tyre se mund të përmbyten, pasi thonë se këtë situatë e kanë parë edhe më parë. (A2 Televizion)
