Kushtetuesja reagon për vrasjen e gjyqtarit: Mbrojtja e jetës është përgjegjësi e drejtpërdrejtë e shtetit

Nga A2 CNN
6 Tetor 2025, 20:19 | Aktualitet

Kushtetuesja reagon për vrasjen e gjyqtarit: Mbrojtja e jetës

Gjykata Kushtetuese ka reaguar pas ngjarjes së rëndë që tronditi sistemin e drejtësisë dhe opinionin publik, ku gjyqtari i Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, Astrit Kalaja, u vra me armë zjarri brenda sallës së gjyqit.

Në deklaratën e saj, Gjykata Kushtetuese shpreh tronditjen dhe dhimbjen më të thellë për humbjen e jetës së gjyqtarit, duke përcjellë ngushëllimet më të sinqerta për familjen, të afërmit dhe kolegët e tij.

“Ky akt i rëndë përbën një sulm të drejtpërdrejtë jo vetëm ndaj individit, por edhe ndaj vetë parimeve të drejtësisë dhe shtetit të së drejtës”, thuhet në reagim.

Gjykata thekson se mbrojtja e jetës, sigurisë fizike dhe institucionale të gjyqtarëve dhe qytetarëve që kërkojnë drejtësi është përgjegjësi e drejtpërdrejtë e shtetit, që kërkon veprim të menjëhershëm dhe të qëndrueshëm, shkruan A2 CNN.

“Mbrojtja e gjyqtarëve është mbrojtje e vetë drejtësisë, e pavarësisë së saj dhe e besimit të publikut tek institucionet shtetërore”, nënvizohet në deklaratë.

Në përfundim, Gjykata Kushtetuese shpreh solidaritet me familjen e gjyqtarit të ndjerë dhe kolegët e tij, duke riafirmuar vendosmërinë për të mbrojtur dinjitetin e gjyqësorit si shtyllë themelore të rendit kushtetues. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos