Disa ditë pas përfundimit të aksionit të IMT-së në Theth, ku u prishën ndërtimet e paligjshme, kryeministri Edi Rama ka postuar pasditen e sotme një video në Facebook me pamje nga zona turistike.
“Thethi pas operacionit nga kanceri i paligjshmërisë”, shkruan kreu i qeverisë, teksa ka hasur edhe në polemikat e komentuesve.
Në video shihen punonjësit e Bashkisë së Shkodrës që mbjellin tokën, si edhe turistët që vizitojnë zonën.
Prej disa ditësh, Inspektorati i Mbrojtjes dhe Kontrollit të Territorit kreu një operacion në fshatin turistik në veri të vendit, për prishjen e objekteve të ndërtuara pa leje. Banorët e kundërshtuan me forcë këtë veprim, duke thënë se atyre iu ishte premtuar në vite që të zhvillonin biznese në pronat e tyre, por duke qenë se nuk kanë dokumentet, e kanë pasur të pamundur të aplikojnë për leje.
Situata në terren u rëndua disa herë, madje deri në hedhjen e molotovit drejt fadromave, ndërsa policia u detyrua të mbronte me armë punonjësit e IKMT-së në mënyrë që të kryenin punën.
Në mbrojtje të banorëve të Thethit shkuan edhe deputetë të opozitës që u përplasën me policinë, ndërsa kryeministri Edi Rama reagoi duke thënë se nuk kishte premtuar kurrë ndërtime pa leje në zonë.
Thethi është një nga fshatrat turistikë më të vizituar në veri të vendit. Kalimi Theth-Valbonë është një prej shtigjeve më të frekuentuar nga alpinistët dhe të apasionuarve pas ecjeve ngjitjeve në mal. (A2 Televizion)