Rama viziton mjekët e pacientët në QSUT: Investime dhe rritje buxheti për shëndetësinë

Nga A2 CNN
24 Dhjetor 2025, 17:07 | Aktualitet

Rama viziton mjekët e pacientët në QSUT: Investime dhe rritje

Në prag të Krishtlindjes, kryeministri Edi Rama, vizitoi Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë.  I shoqëruar nga Ministrja e Shëndetësisë Evis Sala, ai u takua me mjekë, infermierë dhe personelin shëndetësor, duke vlerësuar përkushtimin e tyre gjatë gjithë vitit.

Rama ndaloi fillimisht në shërbimin e Pediatrisë, ku u shpërndau dhurata pacientëve të vegjël dhe u uroi shërim të shpejtë.

Më pas, vizitoi Spitalin Onkologjik, ku u njoh nga afër me përmirësimet në infrastrukturë, rritjen e kapaciteteve dhe pajisjet e reja për kimioterapinë ditore. Rama theksoi se, pavarësisht vështirësive dhe problematikave, puna e përditshme e bluzave të bardha shpëton jetë dhe përbën një shërbim jetik për shoqërinë.

Kryeministri u ndal te fakti se shërbimi shëndetësor realizon rreth 95 mijë ndërhyrje të suksesshme në vit, por këto nuk bëhen lajm, ndërsa rastet negative marrin vëmendje të madhe publike. Ai pranoi se çdo rast që njollos bluzën e bardhë ka kosto të lartë për reputacionin e sistemit, por theksoi se pjesa pozitive mbetet dominuese.

“Natyrisht që e mira nuk bën lajm, e keqja bën lajm. Ky është rregull kudo, jo vetëm këtu, natyrisht që rreth 60 mijë operacione të suksesshme që bën shërbimi ynë shëndetësor në vit edhe plus 35 mijë ndërhyrjet mikro-kirurgjikale, që së bashku bëjnë 95 mijë ndërhyrje në trupin e njerëzve mesatarisht në vit dhe që janë të suksesshme - përderisa nuk bëjnë lajm të keq - nuk bëjnë lajm të mirë dhe mjafton një operacion i dështuar, mjafton një tragjedi për t’u kthyer në të kundërt, për të gjithë, për të gjithë trupën e mjekëve, për të gjithë shërbimin tonë kombëtar shëndetësor. Brenda këtij shërbimi identifikohen individë apo veprimtari që e njollosin bluzën e bardhë, atëherë sigurisht që kostoja e reputacionit është shumë e lartë dhe pavarësisht se totalisht e pamerituar për të tjerët, janë të gjithë që paguhen. Por, në fund të ditës për të gjithë ata që e dinë se çfarë do të thotë të shërbesh në sistemin shëndetësor, për të gjithë ata që marrin shërbim, pjesa pozitive është pozitive, është ajo që dominon”, tha Rama.

Rama foli edhe për transformimin e QSUNT-së, ndërtimin e parkimit të ri me 1400 vende dhe kthimin e territorit në një park të madh urban. Ai njoftoi rritje të buxhetit për shëndetësinë me 50 milionë euro, fonde shtesë për barnat onkologjike, rritje pagash për mjekët dhe infermierët, si dhe indeksim vjetor të pagës sipas vjetërsisë.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos