Meta në burg e Berisha në arrest shtëpie, por pse ministrat pa asnjë masë? Dumani iu përgjigjet opozitarëve

Nga A2 CNN
14 Tetor 2025, 18:27 | Aktualitet

Kreu i SPAK Altin Dumani gjatë raportimit në Komisionin e Ligjeve i dha përgjigje pyetjeve të deputetëve të opozitës lidhur me masat e sigurisë që SPAK ka kërkuar në lidhje me ish-kryeministrin Sali Berisha apo ish-Presidentin Ilir Meta.

I vendosur përballë faktit se ministra të qeverisë Rama, Prokuroria e Posaçme i heton duke mos vendosur asnjë masë sigurie, Dumani tha se “sa i përket politikës penale, të gjithë shtetasit trajtohen të barabartë para ligjit dhe është prokurori ai që sipas ligjit përcakton vetë natyrën e masës së sigurimit që kërkon”.

“Prokurori vendos strategjinë hetimore, ndërsa çdo kërkesë për caktim masave sigurimit sikurse edhe ju e dini kalon përmes filtrit të gjykatave. Edhe sa i takon kohëzgjatjes së hetimit, SPAK vepron sipas dispozitave të kodit të procedurës penale dhe standardeve ndërkombëtare duke u përpjekur të kryej çdo hetim brenda një kohe të arsyeshme, por duke ruajtur dhe cilësinë e veprimeve hetimore. Patjetër siç dihet çështjet që heton SPAK janë të një natyre të komplikuar dhe kërkojnë kohë pak më tepër për t'u hetuar sepse nuk është njësoj të hetosh një shkelje të rregull të qarkullimit Rrugor, apo një armëmbajtje pa leje, një kanosje një vjedhje njësoj si të hetosh një aferë korruptive apo një organizatë kriminale ose një grup të strukturuar kriminal”, tha kreu i SPAK.

Më tej, Dumani shtoi se SPAK trajton të gjithë personat e hetuar në mënyrë të barabartë pavarësisht funksionit apo pozicionit të tyre publik.

“Pavarësia dhe profesionalizmi i prokurorëve sigurojnë që çdo individ të përballet me ligjin në të njëjtat kushte sipas nenit 18 të kushtetutës, duke shmangur ndikimin politik në vendimmarrje. Në rastet kur hetimi përfshin ish-kryeministra, figura me imunitet apo personazhe të njohur politikisht, SPAK nuk ka një protokoll të veçantë që ndryshon trajtimin e çështjes. Çdo veprim kryhet sipas dispozitave të kodit të procedurës penale, të cilat faktikisht në vlerësimin tim parashikimet e kodit të procedurës penale janë të qarta sa i takon llojit të masës së sigurimit që duhet caktuar dhe prokurorët në punën e tyre udhëhiqen pikërisht nga parashikimet e këtyre dispozitave procedurale penale. Nga pikëpamja e komunikimit institucional, një hetim me ndjeshmëri të lartë publike patjetër që kërkon kujdes shtesë dhe në mënyrën se si ofrohet informacioni apo transparenca e masave që mund të publikohet pa cenuar gjithmonë hetimin. Për të ardhur te çështja konkrete, sepse tashmë çështja është dërguar për gjykim edhe çështja është hetuar në një vit nga momenti i regjistrimit të emrit të autorit në regjistrin penal deri në dërgimin e çështjes në gjykim. Është hetuar brenda një viti dhe çështja ka kaluar për gjykim, ka kaluar fazën e gjyqtarit para seancës paraprake dhe ndodhet në gjykim të themelit”, deklaroi Dumani. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos