
Reshjet e shiut me intensitet të lartë kanë përfshirë të gjithë territorin e Qarkut Kukës. Si pasojë, në disa segmente të akseve rrugore nacionale është evidentuar rrezik nga rënia e gurëve dhe materialeve inerte, shkruan A2. Situata më e theksuar sipas Prefekturës Kukës është konstatuar në akset rrugore nacionale të Bashkisë Tropojë, konkretisht në rrugën Bajram Curri–Valbonë, ku janë regjistruar rënie gurësh dhe vërshime uji në disa segmente të saj.
Ekipet e subjekteve kontraktore kanë qenë në terren gjatë gjithë kohës, duke ndërhyrë për pastrimin dhe mirëmbajtjen e rrugës, veçanërisht në segmentet më problematike të aksit Bajram Curri–Valbonë. Aktualisht, qarkullimi në këtë aks rrugor, si dhe në të gjitha akset e tjera rrugore nacionale në Qarkun Kukës, zhvillohet normalisht. Sipas raportimeve nga bashkitë Kukës, Has dhe Tropojë, nuk ka situata emergjente apo problematika të shtuara. Furnizimi me energji elektrike në Qarkun Kukës është pothuajse i plotë, me përjashtim të 16 abonentëve në Njësinë Administrative Tropojë e Vjetër, Bashkia Tropojë.
Prefektura Kukës njofton se strukturat përgjegjëse vijojnë të jenë në monitorim të vazhdueshëm të situatës dhe janë të gatshme të ndërhyjnë menjëherë në rast të përkeqësimit të kushteve apo shfaqjes së problematikave të reja, në bashkëpunim me emergjencat civile të tre bashkive të qarkut. (A2 Televizion)