“Nga guri, lindi shpresa", historia e Danjel Novakut nga Rrodokali i Pogradecit

Nga A2 CNN
15 Qershor 2025, 13:52 | Aktualitet

Rrodokali i Poshtëm, një fshat në Mokër të Pogradecit është prej zonave që ruan ende frymën e vjetër të jetës rurale. Këtu, njerëzit jetojnë me bujqësi e blegtori, në një përditshmëri të qetë, por shpesh të harruar.

Si shumë zona të rurale, edhe Rrodokali është prekur nga emigracioni. Por duket se jo të gjithë largohen për të mos u kthyer. Danjel Novaku, një i ri i kthyer nga emigracioni së fundmi, ka vendosur të investojë duke ndërtuar një bujtinë. Ai thotë se pas 17 vitesh emigrim ka vendosur të mos ikë më, në bujtinë ai ka tri dhoma, një kuzhinë tradicionale, dhe një furrë guri ku gatuhen ushqime të zonës, kjo bujtinë ofron jo vetëm pushim, por edhe përjetim të kulturës vendase.

Banorët e fshatit e kanë mirëpritur këtë nismë. Ata shpresojnë që rikthime të tilla të sjellin më shumë jetë dhe vëmendje ndaj zonës veçanërisht për rrugët, që ende mbeten një problem kryesor.

Danjeli synon që në të ardhmen të ndërtojë edhe shtwpiza druri, për ta zgjeruar kapacitetin e pritjes. Sigurisht nëse puna do i ecë mirë me turistët.

Ndërkohë për administratorin e zonës, Ramis Pura projektet që do të zbatohen në infrastrukturë dhe ujësjellës do i japin zonës edhe më shumë zhvillim.

Në Rrodokal duket se një kthim u kthye në mundësi. Dhe aty ku gurët flasin me histori, ka gjithmonë vend për shpresë.

 

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos