
Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara (AAPSK) ka përmirësuar më tej performancën e saj financiare dhe mirëmenaxhimin e pasurive në administrim, duke shënuar një rezultat rekord sa i përket të ardhurave nga qiradhënia e pasurive të sekuestruara dhe konfiskuara.
Sipas të dhënave zyrtare të 9-mujorit të parë të vitit 2025, të ardhurat vetëm nga qiradhënia, pa përfshirë procedura të tjera si shitja, pasi nuk ka pasur të tilla, kanë arritur në 162.2 milionë lekë, nga 109.5 milionë lekë që ishin në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar — një rritje prej 48.2%.
Ky rezultat konfirmon ecurinë pozitive të reformës së ndërmarrë nga Kryeadministratorja Risena Xhaja në menaxhimin e pasurive të sekuestruara, me theks në qiradhënie, përdorim social dhe koordinim më efikas me institucionet e drejtësisë dhe pushtetin vendor.
Muaji shtator ka rezultuar ai me të ardhurat më të larta për Agjencinë, që arritën në 22.4 milionë lekë, nga 15 milionë lekë në Shtatorin e vitit të kaluar — një rritje prej pothuajse 49%.

Kjo rritje e fortë tregon se strategjitë e reja për vënien në përdorim të pasurive janë duke dhënë efekt të menjëhershëm, ndërsa gjithnjë e më shumë prona po gjenerojnë të ardhura të qëndrueshme për buxhetin e agjencisë, përmes të cilit mbështeten më tej agjencitë ligjzbatuese.
Në krahasim me vitin 2024, të ardhurat e këtij viti janë rreth 53 milionë lekë më të larta, duke reflektuar një performancë më të mirë në pothuajse çdo muaj, veçanërisht gjatë marsit, korrikut dhe shtatorit, periudha në të cilat janë formalizuar një numër i lartë kontratash të reja qiraje.
Nëse ky trend vijon, të ardhurat totale për vitin 2025 pritet të tejkalojnë nivelin prej 200 milionë lekësh, duke vendosur një standard të ri në administrimin e pasurive të sekuestruara dhe konfiskuara.
AAPSK, përveç rritjes së të ardhurave, ka si prioritet përdorimin social të pasurive të konfiskuara, përmes projekteve në bashkëpunim me bashkitë dhe organizatat sociale, si pjesë e politikës për rikthimin e vlerës së pasurive në shërbim të komunitetit.
“Rritja e të ardhurave nuk është vetëm tregues financiar, por edhe dëshmi e një administrimi më të drejtë dhe më transparent të pasurive që i kthehen shoqërisë”, bën me dije AAPSK. (A2 Televizion)
