Shtohen zjarret në makina, eksperti: Gabimet nisin që në servis, ndikon edhe i nxehti

Nga A2 CNN
30 Qershor 2025, 17:02 | Aktualitet

Makinat që përfshihen nga flakët, e sidomos teksa janë në ecje, po regjistrohen çdo ditë e më shumë në vendin tonë. Javët e fundit, janë raportuar se vetëm në qarkun e Tiranës ndodhin më shumë se dy raste në ditë ku automjetet kanë marrë flakë, disa prej tyre gjatë lëvizjes, duke rrezikuar jetën e drejtuesve, por edhe të kalimtarëve.

“Muajin e fundit ne kemi pasur një numër të shtuar të ngjarjeve me zjarr në automjete. Ditët e fundit kemi pasur një ose edhe dy ngjarje në ditë. Për muajin qershor kanë kaluar mbi 20 raste dhe kjo nuk është normale në krahasim me statistikat e viteve të kaluara”, shprehet Shkëlqim Goxhaj, drejtor i zjarrfikëses.

Për ekspertin e Sigurisë, Gëzim Hoxha ndikim në rënien e zjarrit në makina kanë temperaturat e larta. Por sipas tij, gjithçka nis nga kontrolli në servise.

“Serviset tona nuk janë të kualifikuara në nivelin e duhur. Personat që punojnë aty nuk janë të certifikuar. Në këto rrethana at pranojnë të bëjnë çdo lloj riparimi dhe riparimi pastaj del me probleme. Vetë automobili mund të ketë rrjedhje vaji. Kjo vjen pastaj edhe nga cilësia e dobët e karburantit”, deklaron eksperti Hoxha.

Një tjetër faktor thotë eksperti Hoxha është edhe modifikimi i automjeteve. Sipas tij, njohuritë duhen marrë që në autoshkollë.

“Në autoshkollë në nuk i mësojmë kursantët që ata duhet ta nxehin një herë makinën para se të nisen sepse kur nxehet makina djegia bëhet e plotë e karburantit. Duhet dy deri në tre minuta para se të nisesh ta nxehësh makinën”. 

Por çfarë duhet të kenë parasysh shoferët në mënyrë që të parandalojnë që mjeti i tyre të shpërthejë në flakë?

“Duhet të kesh kujdes me karburantin, duhet ta mbash motorin e pastër, duhet ta kesh makinën nën kujdes, duhet të kesh sistemin e frenimit në rregull”, shpjegon eksperti Hoxha.

“Rritja e rasteve të zjarreve në makina është një alarm për drejtuesit e automjeteve por dhe për institucionet. Ndërgjegjësimi dhe mirëmbajtja e rregullt janë çelësi për parandalimin e fatkeqësive”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos