Për herë të parë në zonën e kalasë në Gjirokastër do të ketë një qendër shëndetësore përgjatë gjithë sezonit veror dhe 24 ore ne dite. Ndërkohë 13 të tilla janë hapur gjithashtu edhe përgjatë gjithë bregdetit të jugut nga Zvërneci deri në Ksamil.
Fluksi i lartë i turistëve i viteve të kaluara dhe pritshmëritë për këtë sezon, ka angazhuar më shumë edhe shërbimin shëndetësor në vend, për hapjen e qendrave shëndetësore pranë zonave me frekuentim të lartë të turistëve.
E tillë është edhe qendra shëndetësore pranë zonës historike në Gjirokastër e cila hapet për herë të parë në qytetin e mbrojtur nga UNESCO, për të ofruar më tepër siguri për vizitorët e shumtë.
“Ne prandaj jemi këtu sot dhe prandaj kemi kërkuar dhe kemi gjetur mbështetjen nga Ministria e Shëndetësisë, sepse vitet e tjera ka qenë e nevojshme ngaqë statistikat tona pranë Spitalit të Gjirokastër ka qenë kërkesa e vazhdueshme e turistëve prandaj sot kemi qendër shëndetësore turistike 24 orë pranë Pazarit karakteristik të Gjirokastrës”, tha për A2 CNN, Edi Sinojmeri, drejtor i DSHP në Gjirokastër.
Qendrat shëndetësore janë në funksion të plotë edhe përgjatë gjithë vijës bregdetare të jugut të vendit nga Zvërneci deri në Ksamil.
Stafet mjekësore shprehen se kanë në dispozicion të gjitha pajisjet dhe medikamentet për dhënien e ndihmës së parë. (A2 Televizion)