Në 24 orët e fundit janë regjistruar 22 vatra zjarri në disa qarqe të vendit, nga të cilat 5 janë ende aktive dhe 1 ndodhet nën monitorim. Zjarret janë përhapur kryesisht në sipërfaqe me shkurre, ferra dhe pyje, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale dhe mjedisore.
Deri tani janë djegur mbi 107 hektarë tokë dhe rreth 100 rrënjë ullinj në total. Në fshatin Dragovoje të Malësisë së Madhe janë dëmtuar gjithashtu 3 objekte për bagëti.
Në operacionet për shuarjen e zjarreve janë angazhuar 25 automjete zjarrfikëse, 305 forca operacionale, 30 efektivë të Forcave të Armatosura dhe 2 helikopterë të FA-së.
Sipas Institutit të Gjeoshkencave, sot priten reshje të lokalizuara në qarqet Shkodër, Kukës dhe Dibër, por rreziku për zjarre mbetet i lartë në Lezhë, Tiranë, Elbasan, Fier, Berat, Korçë, Gjirokastër. Rreziku pritet të jetë edhe më i lartë gjatë ditës së nesërme.
Qarqet me Vatra Aktive
Dibër
· Parku Kombëtar Lurë (Liqeni i Luleve): Vijon puna për shuarjen e zjarrit në një zonë pyjore me pisha dhe livadh.
· Mali i Peladhisë, Bulqizë: Zjarri është riaktivizuar dhe po përhapet drejt “Majës së Vlashës”. Në terren ndodhen 8 efektivë të MZSH Bulqizë, por situata nuk është ende nën kontroll. Nuk ka rrezik për banesa.
· Fshati Sinë e Sipërme, Dibër: Zjarr në pyll dushku me 4 ha të djegura. Në operacion janë përfshirë 11 forca, përfshirë MZSH dhe bashkinë, duke punuar në terren të vështirë.
Tiranë (Rrogozhinë)
· Fshati Zambishë dhe fshatrat përreth: Zjarri i nisur më 10 korrik u përhap në zona të gjera, duke përfshirë ullishte dhe pyje me pisha. Janë djegur rreth 80–90 ha si dhe mbi 70 rrënjë ullinj të rinj dhe shekullorë. Ndërhyrja u bë edhe nga ajri me dy helikopterë të Forcave të Armatosura.
Fier (Mallakastër)
· Fshati Drenovë: Janë djegur rreth 2.5 ha shkurre dhe 250 rrënjë ullinj. Zjarri është riaktivizuar sot, dhe po punohet me pompa shpine dhe mjete rrethanore. (A2 Televizion)