Niveli i prurjeve të lumit Vjosë mëngjesin e së enjtes ka arritur thuajse në pikën kritike të 7 metrave.
Për pasojë, janë shfaqur edhe përmbytjet e para të zonave pranë shtratit në zonën e Novoselës. Ndërsa uji ka depërtuar edhe në oborret e disa banesave aty pranë, shkruan A2.
Mjete të ushtrisë dhe Emergjencave Civile punojnë pranë shtratit të lumit duke përforcuar mbrojtjen ndaj prurjeve. Situata cilësohet si kritike, ndërsa janë realizuar edhe evakuimet e para të banorëve pranë shtratit të lumit.
Të dhënat paraprake flasin për një shtim të prurjeve edhe në orët në vijim për shkak të reshjeve që kanë rënë në gjithë zonën jugore të vendit, por edhe në Greqi nga ku buron Vjosa. Por, vetë banorë të zonës shprehen më optimistë duke u nisur nga eksperiencat e tyre të mëparshme.
Sakaq, përmbytjet janë shfaqur edhe në tokat bujqësore të fushës së Maliqit. Dhjetëra hektarë me tokë bujqësore dhe të mbjella kryesisht me patate dhe grurë janë nën ujë. Fermerët e zonës tregojnë se dëmet tashmë janë të pariparueshme në kulturat bujqësore.
Në juglindje ka problematikë edhe furnizimin me energji elektrike, ku raportohen të paktën 1700 familje që nuk furnizohen me energji për shkak të defekteve në linjat e transmetimti të ndikuara nga kushtet atmosferike. (A2 Televizion)
