"S'mund të merren me banalitete 1 mln lekëshe", Petro Koçi propozon lehtësimin e punës së SPAK

Nga A2 CNN
14 Tetor 2025, 22:36 | Aktualitet

"S'mund të merren me banalitete 1 mln lekëshe", Petro

Në “Off the Record” me Andrea Dangllin, në A2 CNN, Petro Koçi propozoi që puna e SPAK të lehtësohet, duke mos ju ngarkuar prokurorëve të posaçëm dosje, siç i quajti ish-deputeti socialist, “banale”.

“Doja të theksoja që SPAK duhet të lehtësohet nga disa banalitete. Pra nuk mund të merret SPAK me disa çështje, po themi me një korrupsion ku di unë 1 milion lekë të vjetra. Është pa sens kushdo qoftë personi. A kupton? Po të merret një prokurori tjetër, jo të merret SPAK më kupton? Në qoftë se për një zyrtar të lartë publik ka të drejtë. E tha sot një nga deputetët, nuk e mbaj mend, nuk e di kush është ai, por e tha një shprehje shumë bukur. Na përcaktoni kë quani grup kriminal. Mbaj mend, u arrestuan njëherë 18 veta, një familje në Malësi të Madhe për një mbledhje. Po s'mund ta quash grup kriminal tre familje”, u shpreh Koçi në “Off the Record” me Andrea Dangllin, në A2 CNN.

Sipas Koçit grupet kriminale në Shqipëri ne i kemi të ekspozuar prej pasurisë dhe asteve të luajtshme të paluajtshme që zotërojnë, ndaj SPAK duhet posaçërisht të merret me hetimin e tyre.

“Po i kemi këta me godina, me makina luksoze, me resorte. Këta janë grupet kriminale.  Shiko, ne kërkojmë shumë nga SPAK. Të hetosh një dosje nuk është kaq e thjeshtë, jo  që ti hedh një sy edhe mbaroi puna. Unë besoj se ajo do të lexosh me shumë përqendrim, a kupton? Dhe ndërkohë të merresh edhe me publikun dhe me median që të godet, e të tjerë, e të tjerë. Pra duhen lehtësuar nga disa po themi vepra penale që janë të nivelit të ulët. E ka kërkuar dhe vetë Dumani, më kujtohet më përpara në parlament apo në komision, nuk e di, por që unë mendoj që është një kërkesë edhe një zgjidhje e logjikshme”, deklaroi Petro Koçi në “Off the Record” me Andrea Dangllin, në A2 CNN.

Teksa brenda dhjetorit pritet të zgjidhet kreu i ri i Prokurorisë së Posaçme, Koçi tha se pasuesi i Altin Dumanit duhet të ketë po të njëjtin integritet dhe të jetë garant i vijueshmërisë të punës së mirë që SPAK ka bërë në gjashtë vite.

“SPAK ka shënuar një histori të vetën tashmë. Domethënë ka prodhuar lajme shumë të mira. Janë arrestuar, kanë filluar hetime për njerëz që të cilët deri dje konsideroheshin të paprekshëm dhe nuk mendoj se guxonte kush më parë që të fillonte ndonjë çështje penale ndaj tyre. Unë jam dakord me atë që do të ishte mirë që cilido që të zgjidhet në krye të SPAK-ut të mos prodhonte, po themi, ndonjë pritshmëri negative.  Pra, kushdo që të zgjidhet duhet të quhet garanci e një zhvillimi dhe administrimi të SPAK-ut në nivele optimale sipas ligjit. Por në stadin që është sot shoqëria në përgjithësi, në stadin që janë institucionet në përgjithësi, individi ka akoma shumë rëndësi. Qartë? Pra është shumë e rëndësishme që ai që do zgjidhet në krye të SPAK-ut pas Dumanit të jetë njeri me integritet të plotë, të ketë provuar që është njeri që guxon, që ka integritetin për të mbajtur atë”, tha Petro Koçi në “Off the Record” me Andrea Dangllin, në A2 CNN. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos