Festohet sot Fiter Bajrami, ose ndryshe Bajrami i Madh. Pas një muaji agjërimi, mijëra besimtarë myslimanë kanë falur këtë të diel namazin e Fiter Bajramit në sheshin Skënderbej.
I pranishëm këtë vit ka qenë edhe sekretari i përgjithshëm i Ligës Botërore Islame Muhamed Abdulkerim El-Isa, i cili ishte dhe prijës i faljes së namazit.

Ceremonia e faljes së namazit nisi në orën 06:45 me leximin e Kuranit dhe ligjëratën dhe më pas vijoi me faljen e madhe në shesh.
Kreu i Komunitetit Mysliman Bujar Spahiu uroi të gjithë besimtarët, që Zoti t'u kishte pranuar agjërimin dhe t'i ndihmonte në përballimin e sfidave të jetës. Fokusi i fjalës së tij ishin familje dhe unitetit i kombit.
“Kjo ditë sot na gjen me zemra të mbushura dhe sakrifica jonë është pranuar. Jetojmë në një epokë ku vlerat e familjes po lëkunden dhe njeriu matet me atë që ka. Kjo ditë është një urë mes asaj që kemi mësuar në Ramazan dhe atë që do të bëjmë pas tij. Bajrami na kujton unitetin, mëshirën dhe drejtësinë, ne jemi një komb”, tha ndër të tjera kreu i KMSH. (A2 Televizion)