
Në Vlorë është kthyer në traditë që qytetarë vendas, por edhe persona të ardhur nga qytete të tjera apo të huaj, të lahen në det gjatë gjithë vitit, pavarësisht temperaturave të ulëta. Edhe në muajin dhjetor, ata mblidhen në grupe shokësh dhe futen në det, duke sfiduar kushtet atmosferike.
Ajo që bie më shumë në sy është fakti se shumica e personave që praktikojnë larjen në det gjatë dimrit janë të moshës së tretë, mbi 60 apo 65 vjeç. Mes tyre nuk mungojnë as gratë, të cilat sfidojnë veten dhe moshën për të vijuar këtë zakon.

Një prej tyre është Kastriot Tajari, 68 vjeç, i cili për A2 CNN tregon se çdo fundjavë udhëton nga qyteti i Fierit drejt Vlorës për t’u larë në det me një grup shokësh. Sipas tij, larja në det në çdo muaj të vitit është kthyer në një normalitet, ndërsa uji dhe temperaturat janë të përballueshme, sidomos pas daljes nga deti.

Tajari shprehet se ka sfiduar veten edhe në kushte ekstreme, duke u larë në liqenin e Pogradecit në temperatura nën zero. Ai shpreh keqardhje që të rinjtë nuk merren me not dhe u bën apel atyre të angazhohen në aktivitete fizike, të merren me sport dhe të heqin dorë nga veset. (A2 Televizion)