Në një verë ku temperaturat kapin rekorde dhe reshjet janë minimale, qytetarët e Elbasanit dhe bashkive përreth do të përballen me një tjetër 'valë të nxehtë', këtë herë në faturat e ujit.
Nga 1 gushti, çmimi për metër kub do të rritet ndjeshëm, duke shënuar rritjen më të madhe të dekadës për këtë shërbim bazë. Qytetarët e Elbasanit, Librazhdit dhe Peqinit do të paguajnë 60 lekë për metër kub ujë, nga 40 deri në 48 lekë që paguanin më parë.
Po të njëjtën tarifë do të aplikojnë edhe bashkitë e Gramshit, Cërrikut dhe Belshit, ku rritja arrin deri në 87 për qind në rastin e Gramshit.
“Kërkesa e shoqërisë Rajonale UK Elbasan sh.a, për vendosjen e nivelit të ri tarifor për shërbimin e furnizimit me ujë dhe largimin e ujërave të ndotura është në përputhje me përcaktimet dhe procedurën e parashikuar në Vendimin e KKRR nr. 539, datë 30.12.2021, i ndryshuar.”
Por rritja e tarifës vjen në një moment kur qytetarët vazhdojnë të ankohen për furnizim të pakët, ndërprerje të shpeshta dhe matës të munguar në shumë zona. Vetë ERRU i ka kërkuar UK Elbasan që të përshpejtojë instalimin e matësve dhe të përmirësojë sistemin e matjes në burim.
“T’i kushtohet vëmendja e duhur për përmbylljen sa më parë instalimit të matësve në prodhim dhe atyre familjarë të parashikuar, për të gjithë klientët në zonën e shërbimit në mënyrë që të arrijë objektivin e vendosur nga ERRU për treguesin e nivelit të matjes dhe uljen e humbjeve; Të kryejë vlerësimin e “Ujit të Prodhuar” bazuar në regjistrimet ditore të prodhimit, në çdo pikë ku ai përftohet me dhe pa ujëmatës.”
Në një kohë me inflacion të lartë dhe kosto jetese në rritje, tarifat e reja pritet të rëndojnë ndjeshëm mbi buxhetin familjar. Një familje me konsum mesatar prej 15 m³ në muaj, do të paguajë nga 600 deri në 900 lekë më shumë çdo muaj, krahasuar me tarifën aktuale” (A2 Televizion)