Kalabria është rajoni i parë me statut të zakonshëm në Itali që nis një program të RAI-t kushtuar pakicave gjuhësore, me përmbajtje tërësisht në gjuhën arbëreshe.
Kjo nismë pason marrëveshjen mes Presidencës së Këshillit të Ministrave, Departamentit për Informacion dhe Botime dhe RAI-t, që i hapi rrugë prodhimit të programeve televizive dhe radiofonike për promovimin e kulturës arbëreshe.
Gazetari Arbër Agalliu, në një lidhje direkte me studion e “Dita Jonë” nga Bora Shahini dhe Rei Bezhani në A2 CNN, deklaroi “RAI ka në çdo rajon ka selinë e vet dhe programimet e veta dhe aty do të kemi hapësirë televizive dhe radiofonike”.
“Shumë miq do të jenë pjesë aktive e programimeve të RAI-t. Produkti televiziv do të promovojë qytezat arbëreshe të Kalabrisë dhe do të jenë në gjuhën arbëreshe të gjitha. Vetëm arbëreshët do të jenë të punësuar aty. Unë do të jem i ftuar sepse kam një muaj që kam marrë titullin “Qytetar Nderi” në Piana degli Albanesi”, u shpreh Agalliu.
“Janë qyteza shumë të vogla dhe për këtë arsye do të angazhohen edhe qytetarë të thjeshtë”, shtoi gazetari.
(A2 Televizion)