Apeli i Posaçëm lë në fuqi dënimin me 2 vjet e 20 ditë burg për ish-kryebashkiakun e Himarës, Jorgo Goro, shkruan A2 CNN. Goro u fajësua për "shpërdorim detyre" gjatë procedurës së trajtimit të dy pronave mbi të cilat u bë një investim strategjik nga ish deputeti, Artan Gaçi, si edhe për “fshehje e mosdeklarim të pasurisë”, për një apartament në emër të një biznesmeni, por që ishte pasuri e fshehur e zyrtarit vendor. Në të njëjtin vendim, Apeli ndryshoi vendimin e Shkallës së Parë në lidhje me këtë apartamentin 81 m2 në Tiranë, duke vendosur konfiskimin e tij.
Vendimi i Gjykatës
“Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Daniela Shirka (kryesuese), Dhimitër Lara (anëtar) dhe Miliana Muça (anëtare), më datë 22.07.2025, shpalli vendimin lidhur me çështjen e regjistruar me nr. 44 akti, datë 03.06.2025 regjistrimi, mbi ankimin e paraqitur nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, dhe ankimet e paraqitura nga të pandehurit J.G., V.Gj. dhe J.B, ndaj vendimit nr. 25, datë 13.03.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, dhe vendosi:
1 - Lënien në fuqi të vendimit nr. 25, datë 13.03.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me këtë ndryshim:
Urdhërohet konfiskimi i pasurisë së mëposhtme:
- Apartament i regjistruar me nr. pasurie ***, volumi ***, faqe ***, zona kadastrale ***, me sipërfaqe 81,41 (tetëdhjetë e një presje dyzet e një) m2, ndodhur në ***, së bashku me sendin sekuestruar shtetasit E.V. me procesverbalin e sekuestrimit datë 03.07.2024, çelës me ngjyrë të zezë, me mbishkrimin “***”, me kod “***”.
2 - Mospranimin e ankimit të ankuesit Shoqëria “***” shpk, kundër vendimit nr. 25, datë 13.03.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”, thuhet në njoftim. (A2 Televizion)