Reshjet u kthyen me intesitet në territorin e juglindjes duke sjellë problematika orët e mbrëmjes, ndërkohë që përrenjtë janë fryrë në nivele maksimale dhe rrezikojnë daljen nga shtrati.
Si pasojë e shtimit të reshjeve u krijua një situatë problematike në Qarkun e Korçës, ku nuk ndalet rrëzimi i masiveve të dheut në aksin Qukës-Qafë Plloçë.
Në mbrëmje, një tjetër rrëshqitje dheu ndodhi në lotin e dytë të këtij aksi rrugor, shkruan A2.
Një masiv i madh dheu dhe gurësh bllokoi tërësisht lëvizjen e mjeteve. Në zonë nisi puna për pastrim, por ende është e pamundur që rruga të hapet për automjetet pasi është bllokuar në të dyja senset.
Gjithashtu, shtimi i reshjeve ka bërë që niveli në lumin Dunavec të shkojë në një pikë kritike, duke rrezikuar qindra hektarë tokë bujqësore të fushës së Maliqit. (A2 Televizion)