Nafta "i vë flakën" çmimeve, domatja dhe specat mbi 350 lekë, qytetarët pakësojnë blerjet

Nga Marjo Brakaj
30 Mars 2026, 13:59 | Ekonomi

Një kilogram domate apo speca nga 350 deri në 400 lekë, patatja e kastraveci në mesatarisht 120 lekë... nga zarzavatet te bulmeti, bashkë me vajin... veç karburanteve në Shqipëri po rriten edhe çmimet e ushqimeve, shkruan A2CNN.

“Çmimet? Do pyetur kryeministri. Mirë ia bëjnë këtij populli”, tha një qytetar.

Çmimet e ushqimeve në Shqipëri janë rritur aq shumë sa po ia kalojnë edhe Italisë e Zvicrës.

“Bananet në Itali bëjnë 1 euro kilogrami. Kivi 2 euro, këtu 250 lekë. Zarzavatet, mishi... çdo gjë këtu është më shtrenjtë se në Itali”, tha një qytetar italian.

“Obobo... mos fol për domaten. Nuk blihet”, u shpreh një qytetare.

Krizat, pavarësisht tipologjisë, kanë një të përbashkët: të pasurit bëhen edhe më të pasur, ndërsa të varfrit edhe më të varfër. Edhe më shumë mbushen xhepat e atyre që abuzojnë me çmimet. Po pse po rriten kaq vrullshëm çmimet e ushqimeve në Shqipëri?

“Atje ka alternativa. Ka çmime më të lira, ka edhe më të shtrenjta”, tha një qytetar që jeton në Zvicër.

Është fakt i njohur në më shumë se tre dekada e gjysmë kapitalizëm në Shqipëri: një ndër kategoritë më vulnerabël, të cilët përbëjnë një të tretën e popullatës, janë të moshuarit. Ndaj qeveria planifikon të ndërhyjë në këtë drejtim, por pa ngritur një bord transparence edhe për ushqimet.

“Po u rrit nafta, do të rritet edhe çdo gjë tjetër. E rrit ai tregtari, e rrisim edhe ne; në fund çdo gjë shkarkohet te qytetari”, tha një tregtar.

Bazuar te ecuria e deritanishme e rritjes së çmimeve, për muajin mars inflacioni ka kaluar “vijën e kuqe” 3 për qind, duke rrezikuar një krizë edhe më të fortë se ajo e katër viteve më parë.

“Institucionet nuk kanë bërë detyrën e tyre për të parandaluar abuzimin me çmimet e ushqimeve dhe të produkteve të tjera” tha Hasan Stafa, kreu i Qendrës Kombëtare për Mbrojtjen e Konsumatorit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos