Bordi i Transparencës do të funksionojë derisa çmimet të rikthehen në nivelet e parakrizës. Këtë konfirmoi Ministrja e Ekonomisë, Delina Ibrahimaj duke theksuar se vendimi i Bordit dje, erdhi pasi nuk u reflektua ne tregje ulja e çmimit te karburanteve në bursa.
“Ne kemi qenë të kujdesshëm në monitorim ditor të çmimeve të karburanteve dhe që nga fundi i muajit shkurt situata ishte stabël, 173 lekë çmimi, në mars kemi pasur luhatje të çmimit. Kemi pasur rritje të çmimeve të naftës prej 24%. Sa i takon çmimeve të bursës, që nga shkurti deri sot është rritur me 99.7%, pra është evidente që pasqyrimi i rritjes së bursës nuk ka pasqyrim direkt të të njëjtës vlerë dhe në çmimet vendase. Dje mblodhëm Bordin e Transparencës, me qëllim diskutimin për çmimet. Mekanizmi që përdoret është një formulë e bazuar në aktin normativ të 2022 kur kishim një situatë të ngjashme, që bazohet në çmimet ditore të bursës dhe përllogariten koston e karburantit dhe duke shtuar marzh për pakicën dhe shumicën. Janë marzhe minimale, jo fitimi por përballimi shpenzimesh për kompanitë. Do vijojmë të jemi në monitorim të çmimeve”, deklaroi ministrja.
Ibrahimaj deklaroi se po monitorohet edhe rritja e çmimeve te produkteve të shportës, por në këtë rast qeveria nuk mund të ndërhyjë ashtu siç bëri me karburantet.
“Sa u takon ushqimeve, ne po monitorojmë një shportë me 80 ushqime dhe e vërteta është që kanë filluar të reflektohen në disa prej produkteve të shportës çmimet e rritura. Do të aktivizojmë një ekip, disa grupe monitorimi nga Inspektorati Shtetëror i Mbikëqyrjes së Tregut për të verifikuar këto çmime sepse ne kemi përzgjedhur në bashkëpunim me INSTAT këtë listë produktesh dhe një numër të limituar të tregtarëve. Tani do të dalim në terren për të monitoruar çmimet dhe reflektimin e furnizimeve me realitetin.. Nëse do të marrim vendime në të ardhmen, do të marrim vendime që lidhen me shportën bazë të konsumit, me rritjen e përgjithshme të çmimeve të konsumit. Ajo që duhet të garantojmë është që të mos ketë spekulime me rritje të çmimeve të cilat nuk reflektojnë çmimet e zhdoganimit. Nuk thamë që do të ndërhyjmë në çmime. Është e pamundur të ndërhyjmë në çmime. Ne jemi duke monitoruar me bazë ditore dhe do të dalim për të verifikuar që këto çmime nuk janë abuzive. Në rast do të kemi ndikim të vazhdueshëm në çmimet e konsumit, atëherë do të suportojmë shtresat që nuk përballojnë rritjen e çmimeve as për një periudhë të përkohshme. Përqendrimi ynë do të jetë tek pensionistët”, tha Ibrahimaj. (A2 Televizion)