“Cene” në historik, rriten kërkesat për kredi, shtohen refuzimet nga bankat

Nga Marjo Brakaj
23 Prill 2025, 15:03 | Ekonomi

Qytetarët dhe sipërmarrësit shqiptarë trokitën më shpesh në dyert e bankave në tremujorin e parë të vitit. Por për shkak “ceneve” në historik, një pjesë e konsiderueshme e kërkesave për hua u refuzuan.

Shkalla e miratimit të kredive për bizneset u raportua më e ulët në tremujorin e parë. Faktorët ishin historiku nga regjistri i kredisë, të ardhurat e disponueshme dhe pasqyrat financiare të bizneseve. Shkalla e miratimit të kredive për individët u raportua në rënie në tremujorin e parë të vitit 2025, shkruan A2 CNN. Rritja e shkallës së refuzimeve u shkaktua nga politikat e bankave lidhur me kolateralin e kërkuar.

Banka e Shqipërisë

Teksa parashikon se kërkesa për kredi do të mbesë e lartë si nga qytetarët dhe bizneset, Banka e Shqipërisë parashikon tkurrje të refuzimeve.

Në tremujorin e dytë të vitit, bankat presin të ndjekin politika më të lehtësuara kreditimi në segmentin e biznesit të vogël e të mesëm, në kreditë lëvruar me qëllim financimin e investimeve dhe ato për mbulimin e nevojave afatshkurtra për likuiditet. Politikat e kreditimit priten të jenë lehtësuese edhe në segmentin e kredive për blerjen e banesave.

Banka e Shqipërisë

Lehtësimi i kushteve të kreditimit, sipas Bankës qendrore do të vijë si pasojë e uljes së ndjeshme të nivelin të kredive të këqija. Të dhënat nga Banka e Shqipërisë tregojnë se vetëm 4.17 për qind e totalit të huave të marra në banka nuk janë paguar në kohë.

“Cene” në historik, rriten kërkesat për kredi,

“Urojmë të mos kemi një krizë në pasuritë e paluajtshme se nëse do të nisi atëherë ekspozimi do të jetë jo vetëm i individit por dhe i bankave të cilat kanë marrë kolaterale këto objekte të financuara me kredi. Dhe më pas do kemi situatën e mosmbulimit me kolaterale të kredive të dhëna. Ku bankat përsëri do t’ia kërkojnë atyre që ta mbulojnë apo të heqin dorë nga pronat dhe të ngelen me borxhe të pashlyera”, thotë për A2 CNN eksperti i ekonomisë, Selim Blliku.

Të dhënat nga Banka Qendrore tregojnë se portofoli total i kredisë së dhënë nga 11 bankat tregtare në vend ishte 822.6 miliardë lekë. Nga kjo shumë, 34.3 miliardë ishin hua të papaguara në kohë.

“Cene” në historik, rriten kërkesat për kredi,

Rënia e treguesit në nivelin më të ulët në 16 vjet ka ardhur sa nga shlyerja në mënyrë të rregullt e kredive të vjetra, aq edhe nga zgjerimi i huave të reja. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos