Nga muaji i ardhshëm tokat pa tapi, dalin në shitje me 1 euro. Paketa e Maleve” e cila synon të tërheqë investime në zonat me përparësi zhvillimi, të fuqizojë ekonomitë lokale si dhe të nxisë punësimin është botuar në Fletoren Zyrtare.
Heqje e taksës mbi pronën e infrastrukturën bashkë me përjashtimin nga Tatimi mbi Vlerën e Shtuar dhe ai nga të ardhurat për një periudhë 10-vjeçare. Është kjo formula me anë të cilës qeveria do të përpiqet të joshë qytetarët të investojnë në agroturizëm në Shqipëri.
Përparësi për investime me anë të “Paketës së maleve” do të kenë ata individë që tashmë shfrytëzojnë këto zona. Ata që i kanë në përdorim prej më shumë se 10 vitesh, mund të blejnë këto prona me çmimin simbolik “1 euro”.
Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural planifikon ndërkohë të çojë në 1 mijë nga 250 aktualisht numrin e agroturizmeve në vend deri në vitin 2030 si pasojë e investimeve në zonat malore.
Shqipëria është vendi i tretë në botë për diasporën më të madhe. Kryesisht në Itali, Greqi, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Gjermani, Kanada, Mbretërinë e Bashkuar e Belgjikë jetojnë e punojnë 1,7 milionë qytetarë.
Megjithatë, çdo e keqe e ka edhe një pozitive nga pas. Një pjesë e tyre pritet të sjellin paratë e grumbulluara në emigrim për t’i investuar në vendlindje. (A2 Televizion)