Zëvendëskryeministrja dhe njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, priti në një takim zyrtar delegacionin izraelit të kryesuar nga ministri i Energjisë dhe Infrastrukturës, Eli Cohen, në kuadër të një vizite dyditore në Tiranë.
Gjatë takimit, u diskutuan një sërë temash me interes të përbashkët, me fokus në forcimin e bashkëpunimit mes dy vendeve në fushat e sigurisë kibernetike, menaxhimit të qëndrueshëm të burimeve ujore dhe infrastrukturës.
Balluku vlerësoi përvojën e avancuar të Izraelit në këto fusha, duke e cilësuar atë si një nga liderët botërorë në menaxhimin e sistemeve të ujësjellës-kanalizimeve dhe teknologjive të reja në energji, shkruan A2 CNN.
“Pata kënaqësinë të mirëpres mikun dhe kolegun tim, ministrin Eli Cohen, me të cilin zhvilluam bisedime të frytshme mbi projektet tona të përbashkëta dhe mundësitë për bashkëpunim të zgjeruar në sektorët strategjikë për zhvillimin ekonomik të dy vendeve”, u shpreh Balluku.
Në kuadër të kësaj vizite, delegacioni izraelit mori pjesë gjithashtu në një konferencë me përfaqësues të biznesit shqiptar, ku u shkëmbyen eksperienca dhe u identifikuan mundësi konkrete për investime dhe partneritete të reja.
Balluku nënvizoi se qeveria shqiptare vijon të ndërmarrë iniciativa për krijimin e një klime të favorshme për investitorët vendas dhe të huaj.
“Fushat e investimit janë të shumta dhe qeveria shqiptare ka ndërmarrë një sërë iniciativash për krijimin e një klime që mbështet çdo sipërmarrës,” tha Balluku. (A2 Televizion)