Në një realitet ku strehimi i denjë shpesh mbetet privilegj, e jo e drejtë bazë, një program i ri po vendos fokusin aty ku nevoja është më urgjente. 1 mijë e 253 familje nga shtresat në nevojë do të përfitojnë rikonstruksion të plotë të banesave, përmes Projektit të Investimeve të Strehimit Social.
“Thirrja u hap në dhjetor të vitit 2024 dhe qëndroi e hapur deri në janar. Familjet kanë aplikuar në bashkitë përkatëse, pas verifikimit të kushteve dhe kritereve ata u miratuan në këshillin bashkiak. Tashmë përfituesit janë shpallur dhe ne presim që në gusht pas përfundimit të procedurave tenderike të nis puna për rinovimin e banesave. 43 bashki aplikuan”, deklaron Dardana Grabovaj, Sektori i Shqyrtimit të Projekteve të Strehimit.
Nuk bëhet fjalë vetëm për ndërhyrje fizike në struktura të amortizuara, por për një përpjekje të qartë për të përmirësuar cilësinë e jetës dhe për të garantuar kushte minimale jetese për më të pambrojturit.
“Kërkesat më të shumta shkojnë për përmirësimin e kushteve të banimit. Kryesisht ne prekim banesa në zona informalë, në qytete dhe fshatra ku duhet dhe kërkohet vëmendje më e veçantë për përmirësimin e kushteve të banesave. Ky është një program bën rregullin e atyre banesave nuk i kanë kushtet e duhura”, thotë Dardana Grabovaj, Sektori i Shqyrtimit të Projekteve të Strehimit.
Fondi në dispozicion këtë vit është përllogaritur në masën e 1 miliardë lekëve. Po sa para do të mund të përfitojnë familjet për të riparuar banesat e tyre?
“Varet ka numri i anëtarëve që përbëhet familja. Shuma e financimit shkon nga 12 e deri në 16 milionë lekë për shembull për komunitetin rom dhe egjiptian”, u shpreh Grabovaj.
Deri në vitin 2030, synimi është që mbi 50 mijë familje, përfshirë shtresat në nevojë, studentët dhe emigrantët që kthehen në Atdhe, të mbështeten nga një paketë kombëtare strehimi me një fond prej 300 milionë eurosh. Një ndërhyrje që nuk zgjidh vetëm nevoja të menjëhershme, por vendos themelet për një politikë strehimi të qëndrueshme, gjithëpërfshirëse dhe të menduar për të ardhmen. (A2 Televizion)