KLSH gjen fajtorin, përmbytja në Bunec u shkaktua nga mosmirëmbajtja e HEC Sasaj

Nga Marjo Brakaj
7 Korrik 2025, 16:55 | Ekonomi

Në mes të dimrit, në fshatin Bunec të Lukovës, uji i hidrocentralit Sasaj rrëmbeu gjithçka. Shtëpi, biznese, pemë e kujtime – të gjitha zhytën nën valët e një përmbytjeje që mund të ishte parandaluar.

Mungesa e investimeve për mirëmbajtjen e hidrocentralit është bërë shkak për përmbytjet e shtëpive dhe bizneseve në fshatin Bunec të Lukovës në janar të këtij viti, pasi u shemb baseni i HEC-it Sasaj. Ky është konkluzioni i Kontrollit të Lartë të Shtetit në auditimin e kryer për këtë hidrocentral 5 ditë pasi kishin ndodhur përmbytjet.

“Baseni i presionit të HEC “Sasaj” Sarandë, është dëmtuar si pasojë e mos respektimit të dispozitave ligjore për realizimin e investimeve dhe mirëmbajtjen e tij.”

Më tej KLSH ka evidentuar se kompania koncesionare, “Energo-Sas”, në shkelje të kushteve teknike të kontratës nuk ka siguruar strukturat kryesore veçanërisht të basenit të presionit, dhe për shkak se nuk janë bërë investime për mirëmbajtjen e veprave, ndodhi edhe çarja e basenit.

“Struktura mbajtëse rrethuese e basenit kishte pësuar dëmtim për pasojë derdhje të ujit të depozituar, duke shkaktuar dëme të bimësisë në rrjedhën e malit si dhe në banesa, biznese dhe infrastrukturë. Krahas shembjes së murit të basenit, në pllakën beton arme të bazamentit të basenit kishte një çarje, e cila është shkaktuar kohë më parë.”

Këto dëmtime sipas KLSH-së edhe pse ishin konstatuar nga koncesionari nuk u morën masa për të parandaluar këtë ngjarje. Një tjetër shkelje e kësaj kontrate koncesionare është fakti që gjatë verës nuk është lëshuar 15% e sasisë së ujit në lumë ose më shumë duke dëmtuar ndjeshëm bimësinë.

“Në mënyrë më të theksuar gjatë vitit 2022, nga ana e koncesionarit nuk është lëshuar sasia e ujit ekologjik në rrjedhën e lumit ekzistues, duke krijuar pasoja për mjedisin, por edhe për banorët e zonës, nga mungesa e ujit për ujitje.”

Në pasojat e kësaj pakujdesie, familjet humbën orenditë e shtëpisë, bizneset u shkatërruan dhe toka u mbulua nga ujërat. Pemët frutore që dikur zbukuronin fshatin u shkulën rrënjë e frymë. Për këtë arsye KLSH ka kërkuar shkarkim nga detyra të drejtorit të AKBN-së Erlind Sulo si dhe të drejtorit të monitorimit në AKBN. Po ashtu i kërkohet AKBN-së dhe Bashkisë Himarë të marrin masa për dëmshpërblimin e familjeve dhe bizneseve të dëmtuara. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos