Shqipëria vend ideal për punëtorët Indianë. Kështu tha në një deklaratë për mediat ambasadori i Indisë në Tiranë Ravindra Prasad Jaiswal i cili shtoi se deri më tani në Shqipëri janë rreth 1200 shtetas indianë të punësuar, ndërsa po punohet me qeverinë shqiptare në arritjen e një marrëveshje partneriteti në mënyrë që të realizohet migrim i rregull Ambasadori tha se India ka krahë pune të kualifikuar dhe miqësorë që përshtaten shumë mirë me mjedisin lokal.
"India është një fuqi e madhe e punëtorëve të kualifikuar dhe një numër i madh indianësh punojnë në të gjitha pjesët e botës, sidomos në vendet e Gjirit, në Mbretërinë e Bashkuar, Gjermani, Bashkimin Evropian dhe SHBA. Por në Shqipëri numrat janë shumë të ulët. Siç më është thënë, vitin e kaluar janë dhënë rreth 1,200 viza për punëtorë indianë. Po punojmë për një marrëveshje partneriteti me qeverinë e Shqipërisë, në mënyrë që të kemi një migrim të rregullt ose ardhje të rregullt të njerëzve nga India”.
Jo vetëm si krahë pune por edhe si turistë indianët i kanë rritur shifrat e tyre në Europë dhe veçanti në Shqipëri, ambasadori tha se nga të dhënat që ka lexuar më shumë se 35 mijë indianë e kanë vizituar vendin tonë dhe më shumë do të vijnë në vijim.
"Nga raportimet, kemi parë se në vitin 2024, që kur u vendos regjimi pa viza, njerëzit kanë ardhur gjithnjë e më shumë në Shqipëri. Vitin e kaluar rreth 30,000 deri në 35,000 persona nga India dhe indianë nga vende të tjera kanë qenë këtu"
Ambasadori Indian tha se në Shqipëri ka edhe interes të investitorëve indianë.
"Kemi dëgjuar nga Qendra Kombëtare e Biznesit se ka 18 kompani indiane të regjistruara këtu. Nuk e di sa prej tyre janë aktualisht aktive, por po punojmë për të promovuar investimet”.
Ndërkohë në kuadër të marrëdhënieve 70 vjeçare mes Shqipërisë dhe Indisë pritet të ketë një sërë aktivitetesh, ekspozita të lidhura me Nënë Terezën si dhe mbrëmje kulturore indiane që do të organizohen në Shqipëri përfundoi ambasadori. (A2 Televizion)