Jo vetëm IPARD dhe Frontex, raporti i KLSH: Institucionet abuzuan edhe me fondet e BB

Nga A2 CNN
23 Prill 2025, 17:24 | Ekonomi

Jo vetëm me IPARD në bujqësi apo ato FRONTEX për menaxhimin e kufijve nga Bashkimi Evropian...institucionet shqiptare kanë abuzuar edhe me fondet e Bankës Botërore. Në këtë përfundim ka dalë Kontrolli i Lartë i Shtetit pas auditimeve në Drejtorinë e Përgjithshme të Financimeve dhe Kontraktimeve për fondet e donatorëve.

“Nga auditimi konstatohet se në kontratat e projekteve të BB në objektivat e parashikuara janë reduktuar objektiva, pa u argumentuar nga përfituesi. Nga ana e strukturave përgjegjëse të CFCU nuk rezulton të jetë identifikuar, raportuar apo të jenë marrë masat lidhur me këto mangësi të konstatuara gjatë kësaj kontrate.”

Nga kontrollet e KLSH janë gjetur një sërë shkeljesh që kanë çuar në përfitime të padrejta dhe dëm ekonomik në shifra të konsiderueshme.

“Nga auditimi i dosjeve fizike të projekteve të përzgjedhura nën programet IPA dhe atyre të BB dhe donatorëve të tjerë, u konstatua se në tërësi këto dosje mbartnin parregullsi në mënyrën e mbajtjes së tyre, si dhe mungonte fleta e inventarit për çdo dosje respektive”.

Nga parregullsitë dhe neglizhenca, të humbur kanë dalë vetë institucionet dhe qytetarët shqiptarë.

Nga auditimi konstatohet se për shkak të vonesave në procedurat e aprovimit të raporteve finale narrative, periudha për të cilën ishte planifikuar pagesa shtyhet për vitin e ardhshëm, duke sjellë si pasojë thyerje e afateve të pagesave kontraktuale krahasuar me kushtet/afatet kohore të paracaktuara në kontratë; djegie të fondet të TVSH-së për vitin sipas së cilit janë buxhetuar, duke krijuar kështu bllokimin e fondeve të cilat mund të ishin përdorur për pagesa apo investime të tjera.

Nga Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar te Kontrolli i Lartë i Shtetit apo Agjencia e Inteligjencës Financiare. Shqipëria po përpiqet që përmes angazhimit të këtyre institucioneve të “rregullojë imazhin” në sytë e Bashkimit Evropian për të rifituar besimin dhe mbështetjen financiare të këtij të fundit.

Ministria e Financave ka hartuar dhe hedhur në konsultim publik Strategjinë Kombëtare Kundër Mashtrimit për Mbrojtjen e Interesave Financiare të Bashkimit Evropian, 2025-2030. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos