Rama paralajmëroi të ndërhyjë në sektorin e naftës, Shoqata e Hidrokarbureve për A2CNN: Qeveria është qeveri...

Nga Mario Brakaj
4 Korrik 2025, 12:20 | Ekonomi

Rama paralajmëroi të ndërhyjë në sektorin e

Paralajmërimi i kryeministrit Edi Rama për një ndërhyrje të mundshme në sektorin e naftës ka sjellë reagime nga aktorët kryesorë të tregut.

Në një deklaratë për A2CNN, kryetari i Shoqatës së Hidrokarbureve, Luigj Aliaj, shprehu shqetësimin se industria nuk është përfshirë në asnjë proces konsultimi dhe nuk ka informacion zyrtar mbi natyrën e ndërhyrjes që qeveria planifikon të ndërmarrë.

“Gjithçka është e mundur, qeveria është qeveri. Por, ne nuk kemi dijeni për çfarë konkretisht bëhet fjalë. Nuk ka pasur asnjë njoftim apo diskutim me industrinë”, tha Aliaj për A2CNN, duke nënvizuar mungesën e transparencës në këtë proces.

Ai shtoi se çdo ndërhyrje që bëhet pa dialog me grupet e interesit rrezikon të krijojë paqartësi në treg, të dëmtojë konkurrencën dhe të dekurajojë investimet në sektorin e hidrokarbureve.

Deklarata e kryeministrit vjen në një kohë kur çmimet e karburanteve në Shqipëri mbeten ndër më të lartat në rajon, pavarësisht rënies së çmimit të naftës në bursat ndërkombëtare. Një situatë që ka ngjallur kritika të forta në opinionin publik dhe kërkesa për transparencë më të madhe në formimin e çmimit.

Sektori i karburanteve ka qenë më parë nën monitorimin e Bordit të Transparencës, një strukturë e ngritur për të frenuar rritjen e çmimeve në kohë krize, por që u pezullua disa muaj më parë. Tani, me këtë sinjal të ri nga qeveria, mbetet e paqartë nëse do të rikthehet një formë e ngjashme kontrolli apo do të ndërmerren masa të reja fiskale dhe ligjore.

Shoqata e Hidrokarbureve kërkon sqarim publik dhe përfshirje të menjëhershme në çdo vendimmarrje që prek tregun, për të shmangur pasigurinë dhe dëmtimin e sektorit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos