Mbrojtja e pronësisë industriale, firmoset marrëveshje bashkëpunimi mes dy institucioneve

Nga Marjo Brakaj
4 Korrik 2025, 12:11 | Ekonomi

Mbrojtja e pronësisë industriale, firmoset marrëveshje

Drejtoria e Përgjithshme e Pronësisë Industriale dhe Këshilli Shqiptar për Teknologjinë dhe Inovacionin firmosën një marrëveshje bashkëpunimi që synon të rrisë ndërgjegjësimin dhe të ofrojë mbështetje për bizneset shqiptare në drejtim të mbrojtjes së pronësisë industriale dhe zhvillimit teknologjik.

Ky partneritet vjen si përgjigje ndaj nevojës në rritje të sipërmarrjeve për të mbrojtur asetet e tyre intelektuale dhe për të kthyer inovacionin në vlerë të prekshme në treg, shkruan A2.

Marrëveshja përfshin një sërë angazhimesh konkrete që pritet të kenë ndikim të drejtpërdrejtë tek sipërmarrjet shqiptare, siç janë ofrimi i konsulencës ligjore dhe teknike për të gjitha bizneset që kërkojnë të regjistrojnë apo mbrojnë pronësinë e tyre industriale, zhvillimi i trajnimeve profesionale për anëtarët e ACTI për të forcuar kapacitetet njerëzore në fushën e teknologjisë dhe pronësisë intelektuale, si dhe organizimi i tryezave diskutimi dhe workshop-eve që trajtojnë tema praktike mbi markat patentat dhe risitë teknologjike.

Një tjetër aspekt i rëndësishëm i kësaj marrëveshjeje është angazhimi për të zhvilluar projekte të përbashkëta që synojnë të ndërgjegjësojnë veçanërisht ndërmarrjet e vogla dhe të mesme mbi rëndësinë e mbrojtjes së të drejtave të tyre pronësore dhe se si këto të drejta mund të shndërrohen në avantazhe konkurruese në tregun vendas dhe ndërkombëtar.

Palët janë zotuar për të garantuar transparencë të plotë në çdo veprimtari të përbashkët për të promovuar informacionin në mënyrë të saktë dhe për të ruajtur konfidencialitetin e bizneseve me të cilat do të punojnë, duke e kthyer këtë bashkëpunim në një model të qëndrueshëm dhe të besueshëm për zhvillimin teknologjik dhe ekonomik të vendit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos