Kur lopët dhe delet ikin nga toka, nga himni i Naimit te heshtja e fushave, blegtoria që po zhduket

Nga A2 CNN
3 Korrik 2025, 17:17 | Ekonomi

Blegtoria, dikur burim jete dhe gjallërie për fshatrat shqiptare, asaj së cilës rilindasi Naim Frashëri i thuri një himn të gjallë, po shuhet. Livadhet që dikur shkeleshin nga thundrat e lopëve dhe mbusheshin me blegërima të deleve e dhive, tani janë bosh e të heshtura.

Nga mbi 415 mijë në 2020-n, vitin e shkuar në vend pati vetëm 272 mijë gjedhë. Një gati përgjysmim në harkun e 6 viteve.

“Dy janë arsyet kryesore. Së pari, largimi i banorëve nga fshati, së dyti është falimentimi i disa komplekseve blegtorale në Shqipëri”, shpjegon pedagogu Ndoc Faslia.

Rënia dramatike e prodhimit të qumështit është shenja më e qartë e një krize që prek jo vetëm ekonominë rurale, por edhe traditën dhe jetën e përditshme. Nga mbi 1 milionë tonë në 2021-shin, vjet u grumbullua një sasi prej më pak se 887 tonësh. Gati 130 mijë tonë më pak në harkun e 4 viteve.

“Kjo rënie është alarmante. Shkaqet kryesore janë mungesa e subvencioneve të qëndrueshme, çmimet e ulëta tëqumështit në treg dhe migrimi i të rinjve nga fshati. Pa masa të menjëhershme, blegtoria shqiptare do të vazhdojë të dobësohet", shprehet Donjaldo Hoxha.

Në këtë heshtje të fushave, ku fshatrat po kërkojnë dritën e rilindjes së vërtetë, që tejkalon fjalët dhe premtimet, ngrihet nevoja për një ringjallje që t’i rikthejë gjallërinë tokës dhe njerëzve që i kanë dhënë jetë për shekuj me radhë.

 “Kjo krizë nuk prek vetëm ekonominë, kuferi bujqësor i familjeve po shkatërrohet. Një numër i madh familjesh rurale që varen direkt nga blegtoria dhe qumështi për të mbijetuar, sot po përballen me varfëri dhe pasiguri ekonomike”, shton Faslia.

“Në thelb, blegtoria dhe prodhimi i qumështit janë sot një pasqyrë e sfidave më të gjera sociale dhe ekonomike që përballen fshatrat shqiptare, një thirrje për një rilindje të vërtetë, që të rikthejë “dritën e mëngjesit” dhe gjallërinë në fushat e Shqipërisë, si në poezinë e Naimit”, deklaroi Hoxha.

Të dhënat nga Instituti i Statistikave tregojnë se 42 për qind e blegtorisë shqiptare përbëhet nga gjedhët, pasur nga të imtat dhe njëthundrakët.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos