Pavarësisht tensioneve gjeopolitike, Banka E Shqipërisë ul në 2.5% normën bazë të interesit

Nga A2 CNN
2 Korrik 2025, 18:25 | Ekonomi

Kushtet janë pjekur. Pavarësisht tensioneve gjeopolitike që kanë trazuar ekonominë e mbarë botës, Banka e Shqipërisë uli me 0.25 për qind, duke e çuar në 2.5 për qind normën bazë të interesit për lekun. Për herë të fundit, norma bazë e interesit kishte ndryshuar nëntorin e vitit të shkuar.

Kjo do të thotë se këstet e kredisë për ata që e kanë për ta shlyer apo ata që planifikojnë ta marrin do të jenë më të lira.

“Këshilli Mbikëqyrës gjykon se kjo vendimmarrje krijon kushte monetare më të përshtatshme për kthimin e qëndrueshëm dhe në kohë të inflacionit, në objektiv. Ajo rikonfirmon angazhimin tonë për kthimin e inflacionit në objektiv në një kohë sa më të shkurtër, si dhe krijon kushte më akomoduese monetare për rritjen e kreditimit dhe stabilitetin e kursit të këmbimit”, u shpreh guvernatori.

Kjo vendimmarrje pritet t’i jap një tjetër hov ekonomisë së vendit në përgjithësi dhe xhepave të shqiptarëve në veçanti, pas zgjerimit të Prodhimit të brendshëm Bruto me më pak se 3.4 për qind në 3-mujrojn e parë të vitit.

“Rritja ekonomike u shoqërua me përmirësim të mëtejshëm të tregut të punës dhe të të ardhurave të familjeve. Punësimi në sektorin jobujqësor vijoi të rritet, norma e papunësisë zbriti në 8.7%, ndërsa rritja e pagave u përshpejtua në 9.6% gjatë tremujorit të parë të vitit. Ecuria e tregut të punës sugjeron se rritja ekonomike po shoqërohet me rritje të të ardhurave të familjeve shqiptare, por ajo vijon të mbetet një faktor rreziku për rritjen e kostove të prodhimit dhe të inflacionit në të ardhmen”, shton Sejko.

Mirëpo tregjet e botës janë në një udhëkryq, dhe sfidat ekonomike janë të shumta. Kjo mund të bëjë që nga ana tjetër qytetarët të duhet të shpenzojnë më tepër për ushqimet.

“Në veçanti, tensioni gjeopolitik dhe vijimi apo intensifikimi i luftërave tregtare janë rreziqe të kahut të sipërm për inflacionin, ndërkohë që rënia e inflacionit në Eurozonë dhe një ecuri më e dobët e ekonomisë së saj në raport me pritjet përbëjnë rreziqe të kahut të poshtëm. Nga ana tjetër, qëndrueshmëria në nivele të ulëta e inflacionit të huaj dhe të atij jobazë, vijojnë të gjenerojnë nivele më të ulëta inflacioni në raport me pritjet tona dhe paraqesin rreziqe të kahut të poshtëm në afatin e shkurtër”, shton guvernatori.

Me kredi më të lira dhe kushte më të favorshme, bizneset dhe familjet do të kenë më shumë mundësi për të investuar dhe për të përballuar sfidat e ditës së sotme. Megjithatë, efektet e këtij vendimi do të varen edhe nga dinamika e tregjeve globale dhe zhvillimet në arenën ndërkombëtare. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos