Premtonin të pastronin Shqipërinë, por e ndotën edhe më keq... moralisht, ekologjikisht dhe financiarisht. Ndonëse u paguan qindra milionë euro në gati një dekadë, projektet e tre inceneratorëve nuk e bënë “Shqipërinë më të pastër” siç u premtua. Ndër vite shifrat janë luhatur, por emëruesi i përbashkët është se më pak se 5 për qind e mbetjeve të gjeneruara janë menaxhuar nga inceneratorët.
“Strategjia e menaxhimit të mbetjeve me anë të djegies ishte e gabuar që në krye të herës ndaj kemi këto rezultate sot. Shumë pak mbetje mund të trajtohen me djegie”, thotë për A2 CNN Mihallaq Qirjo, nga Qendra Burimore Mjedisore.
Edhe më e paktët është sasia e mbetjeve të djegura për të prodhuar energji elektrike. Të dhënat nga Instituti i Statistikave tregojnë se sasia ka qenë e papërfillshme në harkun e tetë viteve të fundit. (grafik
“Energjia që prodhohet nga inceneratorët është e vogël si pasojë edhe e kompozimit të mbetjeve. Për të prodhuar energji nga mbetjet, nevojiten sasi të konsiderueshme plastike, letre të thatë dhe lëndësh djegëse, të cilat në Shqipëri zakonisht riciklohen në mënyrë informale ose përfundojnë në landfill pa ndarje në burim. Kjo e bën procesin e djegies jo vetëm joefikas, por edhe të dëmshëm për mjedisin, pasi lëshon gazra ndotës për një rezultat minimal energjetik”, thotë Qirjo.
Ndërsa Shqipëria ka hapur zyrtarisht negociatat për anëtarësim në Bashkimin Europian, një nga kapitujt më sfidues që e pret në këtë rrugë është Kapitulli 27 – Mjedisi dhe Ndryshimet Klimatike. Ky kapitull kërkon jo vetëm përputhje ligjore me direktivat e BE-së, por edhe zbatim real në terren, veçanërisht në një nga fushat më problematike: menaxhimin e mbetjeve. Në këtë drejtim vendi duhet të rishikojë strategjinë e vetë.
“Për Shqipërinë, problemi nuk është thjesht në përputhjen me direktivat e BE-së për menaxhimin e mbetjeve, por në zbatimin e tyre real në çdo bashki dhe qytet të vendit. Grumbullimi i mbetjeve pa ndarje në burim, mungesa e sistemeve të riciklimit, abuzimi me inceneratorët dhe varësia nga landfillet primitive e bëjnë këtë kapitull një nga më të vështirët për të kaluar”, thotë për A2 CNN Françeska Korançe, pedagoge dhe eksperte mjedisi.
Në një kohë kur në Bruksel flitet për standarde të gjelbra, në shumë bashki shqiptare ende hedhim mbetjet pa ndarje në burim, pa sistem riciklimi, dhe me landfille që digjen ose mbulohen me dhe. Inceneratorët, që duhej të ishin një zgjidhje moderne, u kthyen në simbol të korrupsionit dhe abuzimit.
“Zjarri i rënë së fundmi në inceneratorin e Elbasanit, i vetmi impiant që punoi pjesërisht dhe tani ndodhet nën sekuestro, është metafora më e dhimbshme e kësaj dështimi. Ndërkohë që në dokumentet zyrtare flitet për kapacitet energjetik dhe trajtim mbetjesh, në realitet kemi ndërtesa të braktisura, pajisje të amortizuara dhe fonde publike të djegura, jo mbetje”, thotë Korançe.
Për Shqipërinë, kapitulli i mbetjeve nuk është vetëm një test teknik, është një provë politike, morale dhe qytetare. Pa zgjidhur këtë krizë të zgjatur, rruga drejt BE-së rrezikon të mbetet simbolike, ndërsa era e mbetjeve, shumë reale. (A2 Televizion)