Dëshira e ish-presidentit të Republikës Ilir Meta, për të mos i ngrysur më ditët në paraburgim, nuk u realizua as këtë 19 shtator. Gjykata e Posaçme vendosi të rrëzojë kërkesën e bërë prej tij për shfuqizim të masës “arrest në burg”, masë që e vuan prej tetorit të vitit të shkuar.
Kërkesa e Metës u gjykua nga gjyqtarja Irena Gjoka, e cila është edhe gjyqtare paraprake e dosjes ku ish-presidenti është i pandehur për “korrupsion”, “pastrim të parave” dhe “fshehje e mosdeklarim të pasurisë”, raporton A2 CNN.
Në nisje të seancës me dyer të mbyllura, ku ish-presidenti nuk ishte i pranishëm, gjyqtarja Gjoka relatoi se me herët kishte kërkuar të hiqte dorë nga shqyrtimi i dosjes “Meta”, por kërkesa i ishte refuzuar nga titullari i gjykatës, Erion Bani.
Në këto kushte gjyqtarja Gjoka vijoi shqyrtimin e kërkesës. Rrëzimi i pretendimit të Metës për të fituar lirinë duket se nuk surprizoi aspak avokatin e tij, shkruan A2 CNN.
Vendimi i së premtes në Shkallën e Parë ishte refuzimi i disatë i kërkesave të ish-presidentit për ndryshim të masës, kërkesa që kanë dështuar në të tre shkallët e gjykimit.
Më 25 shtator Gjykata e Lartë gjyqtarja Gjoka do të nisë shqyrtimin paraprak të çështjes penale ku ish-presidenti është i bashkëpandehur me ish-bashkëshorten e tij, Monika Kryemadhi dhe ish-vjehrrën, Fatime Kryemadhi dhe dy të tjerë. (A2 Televizion)