Një pajtues gjaqesh, një oficer policie, një dëshmitar okular, por dhe 3 të tjerë dëshmuan në Gjykatën e Posaçme, në procesin ndaj Plarent Dervishajt dhe Julian Meçes, të akuzuar për atentatin ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoja, aktualisht deputet i Kuvendit.
Në ngjarjen e ndodhur më 1 nëntor 2019 në segmentin Durrës-Tiranë, ku makina në lëvizje e Ndojës u qëllua me breshëri automatike, u plagos prokurori Ndoja, bashkëudhëtari i tij, Aleksandër Laho, i njohur si “Rrumi i Shijakut” dhe shoferi i mjetit, Andi Maloku, që ndërroi jetë më pas në spital, shkruan A2.
Dëshmitari Haxhi Murati tha se ishte pajtues gjaqesh dhe se pak kohë pas ngjarjes ishte kontaktuar nga Asllan Rraja, që është babai i Redian Rrajës, i dënuar me burg përjetë si një nga autorët e krimit. Sipas dëshmitarit, Asllan Rraja i kishte kërkuar ndërmjetësim tek familja e të vrarit në ngjarje, Andi Malokut.
“Kemi bërë një takim me prindërit e tij në Tiranë dhe më pas dy në Shijak, ku babai i të ndjerit kishte vëllezërit”, tha dëshmitari.
Sipas tij, Asllan Rraja i kishte thënë se djali i tij nuk ishte fajor. “Më ka thënë, vijoi Murati, thuaji familjes, derisa të zbardhet ka apo jo faj djali im, të mos na vrasin”.
Por, sipas dëshmitarit, për shkak të situatës COVID nuk kishin pasur takime të tjera. Dëshmitari Bujar Deliallisi, aktisht zv/drejtor për hetimin e krimit në Policinë e Durrësit rrëfeu operacionin e arrestimit të Ramazan Rrajës, po i dyshuar si i përfshirë në ngjarje.
Gjatë dëshmisë, ai u përplas me të pandehurin Plarent Dervishaj, i cili i tha dëshmitarit: “Nuk të takon ty të vish këtu. Të njoh mirë unë ty. E di se kush je. Do mërzitet Visi që je këtu. Nuk do të mbash hallet e dynjasë ti”. Frazat shkaktuan tension, që nevojiti edhe ndërhyrjen e gjykatës.
Dëshmitari Stiven Mziu tregoi se ishte mik i Aleksandër Lahos, i njohur edhe si Pëllumb Muharremi dhe “Rrumi”, dhe se ditën e ngjarjes kishte qenë në automjetin pas automjetit ku ishin prokurori Ndoja dhe Rrumi.
“Një makinë gri na parakaloi. Pashë plumbat që dolën nga makina drejt makinës para”, tha dëshmitari. Dëshmitari tha se nuk e dinte se ku ishte Rrumi tani, ndërsa iu përgjigj negativisht nëse kishte qenë në Vlorë ditën që në këtë qytet u ekzekutua në gjyqtar.
Për procesin SPAK ka kërkuar erdhe dëshminë e Aleksandër Lahos, i shpallur në kërkim nga drejtësia. Në seancë gjykata relatoi shkresën e mbërritur nga Policia e Durrësit, që nuk e kishte gjetur në banesë për ta njoftuar për gjyqin. (A2 Televizion)