Ekonomia e vendit u rrit me rreth 4 për qind vitin e shkuar. Të dhënat nga Instituti i Statistikave tregojnë se Prodhimi i Brendshëm Bruto gatë vitit të shkuar u zgjerua me rritmë të ngjashme me 2023-shin. Por pavarësisht shifrave rekord të turizmit, rritja ishte më e ulët se në vitet 2022 apo 2021.
“Nuk kemi të bëjmë me ndonjë surprizë. Ky nivel ishte i pritshëm si pasojë edhe e shtimit të hyrjeve të turistëve në atë periudhë për të pushuar në vend”, shprehet ish-ministri Haxhi.
Kontributin kryesor në këtë ecuri e dha rritja e pagave në administratën publike, ndjekur nga ndërtimi dhe turizmi. E kundërta ndodhi me sektorët e punësimit masiv si bujqësia dhe industria që u tkurrën respektivisht me 1.15 dhe 6.78 për qind.
“Fakti që mbështetemi në faktorë sezonalë nuk na bën mirë. Rënia e treguesve të industrisë dhe bujqësisë duhet analizuar. Të dhënat janë shqetësuese”, shton Haxhi.
Periudha prill-shtator ka rezultuar më e mbarë për ekonominë e vendit, kjo si pasojë edhe e shtimit të konsumit dhe shpenzimeve nga turistët. E kundërta ka ndodhur me konsumin vendas i cili është tkurrur.
“Ashtu siç edh është thënë, eksportet janë në krizë. Nga ana tjetër importet janë rritur vetëm si pasojë e shtimit të numrit të turistëve” , deklaroi ai.
Ministria e Financave dhe Banka e Shqipërisë presin që ekonomia e vendit të rritet mesatarisht me 4 për qind këtë vit.
Disi më pesimiste janë institucionet Ndërkombëtare si Fondi Monetar Ndërkombëtar, Banka Botërore dhe ajo Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim që presin zgjerim të Prodhimit të Brendshëm Bruto në mesatarisht 3.5 për qind.
(A2 Televizion)