“Manastirliu është kampionia e hajduteve në pandemi”.
Kjo batutë e deputetit demokrat Luan Baçi bëri që të niste debati me pedagogen Arsejda Gjyli, në studion e “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2CNN.
Sipas saj, dosja e Veliajt “është në SPAK dhe janë të paprovuara faktet”.
“Atëherë, do i thoni qytetarëve të Tiranës se Manastirliu nuk do të vjedhë si Veliaj? Këtë slogan fushate do të keni”, iu drejtua Baçi pedagoges.
Gjyli u përgjigj: “Kjo diferencë e madhe mandatesh, që sot PS gëzon 83 mandate, dhe PD-ja është në një kolaps të tillë, kjo nuk është përgjegjësi edhe e opozitës? Këtu ngrihet çështja dhe kontradikta më e madhe është se PD thotë se lufta Veliaj-Rama është politike, por nga ana tjetër voton shkarkimin e Veliajt. Zonja Manastirliu është një figurë, e cila nuk ka precedentë penalë, nuk ka dosje në SPAK dhe është figurë e pastër për opinionin publik. Është e denjë për kandidate”.
Luan Baçi u shpreh: “Na bëre biografinë e zonjës Manastirliu. Ne po shkojmë në zgjedhje, por a e dimë arsyen pse po mbahen këto zgjedhje për Tiranën? Sepse kryebashkiaku, ai që ju deri dje e mbanit për figurën më të pastër, sot ndodhet prapa hekurave. Këtë nuk e mohojmë dot. Atëherë, si ka mundësi të keni prapë kurajo dhe t’i thoni qytetarëve të Tiranës që ne tani do ju sjellim një tjetër që nuk vjedh? Kjo është vërtet që të çmend”. (A2 Televizion)