Në një atmosferë plot emocion dhe energji, mbi 250 studentë të Fakultetit të Ekonomisë morën pjesë në konkursin kërkimor-shkencor “Financat shqiptare nën optikën studentore”, një aktivitet që u realizua me mbështetje nga Credins Bank.
Konkursi ofroi një mundësi të shkëlqyer për studentët e Fakultetit Ekonomik për të shprehur kreativitetin dhe për të paraqitur ide novatore për të ardhmen e financave. 11 grupe me studentë të talentuar dhe të apasionuar në fushën e financave, morën pjesë duke sjellë prezantime dinjitoze, të një niveli akademik.
Ky konkurs u shndërrua në një mundësi për të nxjerrë në pah mundësitë dhe sfidat që përballon financa shqiptare. Studentët, përmes analizave të thelluara dhe zgjidhjeve inovative, dhanë një pasqyrë të qartë të sektorit financiar shqiptar dhe e pasuruan këtë fushë me ide të ndryshme kreative.
Bernard Dosti, Dekan i Fakultetit të Ekonomisë, Universiteti i Tiranës, tha: “Banka Credins ka një raport të veçantë me fakultetin dhe, natyrisht, me departamentin tonë. Ky bashkëpunim ka sjellë një mundësi të shkëlqyer për të rinjtë dhe ka ndihmuar në promovimin e ideve dhe mundësive të reja.”
Ky aktivitet është një mundësi për të rinjtë që guxojnë të sfidojnë status quo-në dhe të ndërmarrin hapa të mëdhenj drejt një të ardhmeje më të fortë dhe të qëndrueshme. Credins Bank, si partner i besuar, mbështet zhvillimin e mendimit kritik dhe inkurajon studentët të sjellin ide novatore dhe kreative për një të ardhme më të ndritur të financave. Valbona Guri, Drejtoreshë e Departamentit të Marketingut në Credins Bank, deklaroi: “Në një botë që po ecën drejt digjitalizimit, ju inkurajojmë që, si të rinj, të përdorni kanalet digjitale dhe të qëndroni liderë në përdorimin e tyre, ashtu siç është lider Banka Credins në inovacion dhe ofrimin e teknologjisë për shërbimet ndaj klientëve tanë. E ardhmja nuk është diçka që thjesht ndodh. Ajo ndërtohet nga ata qeë guxojnë dhe që mendojnë ndryshe”.
3 grupet fituese, të përzgjedhura nga juria, do të kenë tashmë mundësinë të bëjnë intershipe të specializuara në Credins Bank, si një alternativë e shkëlqyer për t’u njohur nga afër me praktikat e sistemit bankar. (A2 Televizion)