Viti 2024 mbyllet me normën interesi 2.75%, Sejko: Kemi blerë euro për të stabilizuar kursin

Nga Marjo Brakaj
18 Dhjetor 2024, 18:49 | Ekonomi

Kushtet nuk janë pjekur për të zbutur më tej politikën monetare. Norma bazë e interesit për lekun do të mbesë 2.75 për qind, të paktën deri në fund të këtij viti.

“Këshilli Mbikëqyrës gjykon se kushtet monetare aktuale janë të përshtatshme për kthimin e inflacionit në objektiv gjatë viti të ardhshëm, dhe ofrojnë një premisë të mirë për respektimin e inflacionit në horizontin afatmesëm. Këshilli Mbikëqyrës vëren se balanca e përgjithshme e presioneve afatmesme po afrohet gradualisht drejt objektivit tonë të inflacionit në afatin e mesëm. likuiditeti i bollshëm, rreziku i ulët i kredisë, dhe klima pozitive e besimit në ekonomi”, tha Gent Sejko, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë.

Teksa foli për të tatëpjetën e euros që ka prodhuar një “super lek”, Sejko tregoi edhe mbi rolin e institucionit që ai drejton në frenimin e “rrënimit të valutës europiane”, shkruan A2.

“Analiza e të dhënave të bilancit të pagesave të tremujorit të tretë konfirmon se këto presione vazhdojnë të nxiten nga rritja e flukseve hyrëse valutore të ardhura nga turizmi, remitancat, si dhe investimet e huaja direkte. Megjithatë, krahasuar me vitin e kaluar, ritmi i mbiçmimit të kursit të këmbimit është zbutur, falë, ndër të tjera, edhe ndërhyrjeve të shtuara të Bankës së Shqipërisë për blerje valute”, tha Sejko.

Nga konferenca e fundit për këtë vit, guvernatori Sejko foli edhe mbi anëtarësimin ekonomik të vendit në Bashkimin Europian.

“Në vijim po punohet në kuadër të hapjes së dy grup-kapitujve të tjerë, ku përfshihen kapituj që trajtojnë çështje si politika monetare, shërbimet bankare dhe sistemet e pagesave”, u shpreh Sejko.

Banka e Shqipërisë parashikon se viti i ardhshëm e gjejë ekonominë e vendit në një mjedis pozitiv rritjeje, me inflacion të ulët, sektor bankar të shëndetshëm dhe me zhvillim të konsiderueshëm të sistemeve të pagesave. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos