Vrasje e grup kriminal, në kërkim nga SPAK, ekstradohet nga Dubai, Denis Bajri

Nga Xhensila Kodra
23 Korrik 2025, 19:00 | Kronikë

Ekstradohet nga Dubai në vendin tonë Denis Brajoviq, i njohur ndryshe edhe me mbiemrin Bajri. Ndaj 37-vjeçarit, Gjykata e Posaçme ka caktuar masën e sigurisë arrest në burg. SPAK e akuzon atë për 5 vepra penale që lidhen me fushën e krimeve kundër personit, të kryera në formën e grupit të strukturuar kriminal dhe për armëmbajtje pa leje.

Bajri u shpall në kërkim ndërkombëtar nga SPAK në kuadër të dosjes “Metamorfoza”, pasi akuzohet për vrasjen e Gjin Boriçit, ngjarje e ndodhur në Vaun e Dejës, në gusht të vitit 2020. Në shkurt të vitit të kaluar, ai u arrestua në Emiratet e Bashkuara Arabe, ku më pas nisi edhe procedura për ta ekstraduar në territorin shqiptar e për t’u përballur me akuzat e ngritura ndaj tij.

Emri i 37-vjeçarit doli pas zbërthimit të aplikacionin “SkyECC”, nga ku u zbulua se vrasja e Gjin Boriçit ishte organizuar nga Behar Bajri, ndërsa në rolin e ekzekutorit ishte Denis Bajri. Ky i fundit njofton Behar Bajrin në aplikacionin SkyEcc dhe i shkruan “kryvi”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos